Lidhje

Filmi "Fruitvale Station", një histori reale


Para se të fillonte realizimin e filmit dramë Fruitvale Station, Ryan Coogler kishte lidhje personale me historinë në fjalë. Regjisori afrikano-amerikan nga San Franciscoja ishte dëshmitar i trazirave që ndodhën për shkak të vrasjes së zotit Oscar Grant, një afrikano-amerikan si ai, nga policia rrugore në qytetin fqinj të Oakland-it. Zoti Coogler thotë se filmi vlen si histori për çdo djalosh afrikano-amerikan në Amerikën e sotme.

Kjo nuk është një skenë nga filmi. Është video e vrasjes së Oscar Grantit në një platformë treni, nga policia rrugore e Oaklandit në ditën e vitit të ri, 2009.

Kjo ndodhi u bë shkak trazirash dhe shërbeu si frymëzim për filmin Fruitvale Station, që flet për ditën e fundit të djaloshit dhe për vdekjen e tij.

Për vitin e ri, Oscar mori disa zotime: të mos të shkelë ligjin, t’i qëndojë besnik së dashurës, të jetë një baba më i mirë dhe një bir më i mirë, vendime të vështira këto po të kesh parasysh se ai kishte qenë i burgosur.

Regjisori Ryan Coogler portretizon një Oscar të njerëzishëm, nëpërmjet rindërtimit të marrëdhënieve të tij me familjarët dhe shokët gjatë 24 orëve të fundit të jetës.

“Kur të rinj si Oscar vdesin rrugëve, njerëzit nuk mendojnë rreth faktit që ai ishte 22 vjeç, kishte një jetë dhe njerëz të cilët e donin shumë.”

Zoti Coogler thotë se filmi ka domethënie për të për shkak se ajo që i ndodhi Oscarit, mund t’i kishte ndodhur dhe atij vetë, vëllezërve ose shokëve të tij. Por ai shton se me këtë portretizim ai nuk ka për qëllim të polarizojë shikuesit, por të ofrojë një këndvështrim njerëzor për jetën e një afrikano-amerikani.

Ai gjithashtu shpreson që filmi i tij të hedhë dritë mbi çështjen e gjykimit të tjetrit nga raca, pasi meshkujt afrikano-amerikanë janë sidomos të ekspozuar ndaj kësaj praktike.

“Jo më kot nënat i këshillojnë fëmijët kur u thonë: mos u ngatërro me policinë, mos bëj lëvizje të papritura, mos u fol të huajve sepse mund të të vrasin, do të të vrasin nga frika ose sepse do të mendojnë se je i armatosur.”

Fruitvale Station është një film i fuqishëm dhe me aktorë të talentuar, përfshirë fituesen e çmimit Oscar, Octavia Spencer, dhe tregon historinë e një afrikano-amerikani që ndodhej në vendin e gabuar ditën e Vitit të Ri.
XS
SM
MD
LG