Lidhje

Filmi "Niksoni dhe Elvisi"


Thuhet se një fotografi ka më shumë vlerë se sa 1 mijë fjalë. Kështu për shembull, fotografia e famshme e "Mbretit të muzikës rok", Elvis Presley, duke shtrënguar duart me Presidentin Richard Nixon në Zyrën Ovale ka marrë sot një vlerë shumë më të madhe se në kohën kur ndodhi takimi. Fotografia, pjesë e një koleksioni-kronikë e takimit të pazakontë Presley-Nixon 46 vjet më parë, është sot fotografia e çastit më e pëlqyer në Arkivat Kombëtare të Uashingtonit. Pikërisht kjo fotografi tërhoqi imagjinatën e producentes së filmave Liza Johnson, e cila e rikrijoi këtë takim në kinokomedinë e saj të re "Elvis & Nixon", "Elvisi dhe Niksoni".

Nga të gjitha fotografitë e famshme të ruajtura në Arkivat Kombëtare të Amerikës, kjo është më e kërkuara e të gjitha kohërave!

Filmi i producentes Liza Johnson, "Elvisi dhe Niksoni", na njeh me historinë e kësaj fotografie.

Rojet e sigurisë: "Është Elvisi".

Kevin Spacey, në rolin e Presidentit Nixon: “Elvis Presley!”

Anëtar i stafit: “Po zoti president, artisti”.

Nixon: “E di se kush është Elvis Presley. Kush dreqin e solli këtu?"

Më 21 dhjetor të vitit 1970, Elvisi u shfaq tek hyrja veriperëndimore e Shtëpisë së Bardhë, me një letër në dorë. Ai kërkoi një takim sekret me presidentin amerikan. Arsyeja?...

Anëtar i stafit: “I pëlqejnë armët, urren Bitëllsat."

Nixon: “Edhe mua nuk më pëlqejnë Bitëllsat."

Ai donte që Niksoni ta caktonte si agjent sekret në liri.

Anëtar i stafit: “Ai do të donte dhe një distinktiv".

Nixon: “Çfarë?”

Elvis, luajtur nga Michael Shannon: “Unë do të depërtoja në mesin e komunistëve dhe do t'i shkatërroja ata."

Michael Shannon interpreton në rolin e Elvis Presley-it.

“Me këtë rol u përpoqa që të mos thjesht e imitoja artistin, por më tepër të evidentoja botën e tij të brendshme. U përpoqa që edhe t'i ngjaja në pamjen e jashtme,"- thotë aktori.

Kevin Spacey na ofron një interpretim të një Niksoni të çuditshëm, një president nopran, i cili gjatë takimit të pazakontë me artistin filloi të kuptojë se kishte më shumë të përbashkëta me "mbretin e rokut" se sa kishte imagjinuar.

Richard Nixon: “Unë dhe ti u ngritëm nga asgjëja: shiko ku jam unë sot dhe ku je ti."

“Elvisi dhe Niksoni, një histori kaq e vërtetë. Elvis Presley shqetësohej për protestat kundër Luftës së Vietnamit, për mungesën e respektit për zbatimin e ligjit. Ai ishte shumë më konservator se sa mund të kenë menduar shumë vetë."- thotë aktori Spacey.

Producentja e filmit, Liza Johnson, thotë se ajo që e bën më intriguese këtë histori, është se 46 vjet më parë ishte diçka shumë e pazakontë të bashkoje politikën me botën e argëtimit:

Niksoni as që e kuptonte dot përse duhet ta takonte Elvisin.”

Nixon: “Në rregull, sille brenda."

“Marrëdhënia mes botës së artit, kulturës dhe kulturës politike ka ndryshuar kaq shumë që atëhere, saqë nuk më ngjan aspak cinike, madje më duket simpatike sjellja e Niksonit në këtë rast."- thotë producentja Johnson.

((Elvisi kërkon që Nixon ta godasë fort tek duart dhe ai e godet.))

"Goditi ata, edhe më fort! Këto janë kthetra të vërteta tigri, zoti President!"

Ndoshta ai takim ishte momenti që përcaktoi fillimin e një dashurie reciproke mes politikanëve amerikanë dhe artistëve.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG