Lidhje

Filmat e sezonit të fundvitit në SHBA

  • Penelope Poulou

Hollivudi po shfaq filmat e tij të rinj për sezonin e festave të fundvitit. Këta filma gjithashtu do të jenë kandidatura edhe për çmimet Oscar, ceremonia e të cilave zhvillohet në fund të muajit shkurt. Nga filmat aksion tek klasikët e vjetër dhe fabulat me mesazhe për mbijetesën, këta filma e çojnë audiencën për pak orë në botë të largëta e fantastike.

Filmi Anna Karenina i Joe Wrightit, bazuar në romanin e Tolstoit është filmi përfaqësues i prodhimeve kinematografike të fundvitit. Ai ka kostumografi të pasur, muzikë mahnitëse, dhe aktorë yje. Keira Knightly interpreton rolin e Kareninës:

“Janë thyer rregullat e një filmi të kësaj epoke. Anna Karenina është një histori që ëshët bërë disa herë film. Nuk do të kishte kuptim të realizohej me një interpretim tradicional”.

Anna Karenina, një grua e martuar me emër në shoqërinë ku jeton, bie në dashuri me oficerin e kavalerisë kontin Vronsky. Marëdhënia e tyre bie ndesh me rregullat e një shoqërie në dukje të virtytshme dhe Anna paguan pasojat për këtë marrëdhënie. Në filmin e tij Joe Wright thekson shtirjen e aristokracisë ruse të shekullit të 19-të. Ai e vendos botën e Ana Kareninës në një hapësirë të kontrolluar që është luksoze por e mbyllur. Jeta e Anës përfundon në shinat e trenit.

Filmi “Jeta e Pi-së” që flet për besimin dhe mbijetesën, është më optimist. Edhe ai është përshtatur nga një libër. Regjisori fitues i çmimit Oscar Ang Lee na ka magjepsur me një tjetër mënyrë të të xhiruarit film. Për xhirimet në varkë, ekipi realizues krijoi një tigër dixhital.

Ata që duan filma me spiunazh mund të ndjekin filmin Argo. Tony Mendez, një punonjës i CIA-s, organizon një mision të fshehtë për të nxjerrë diplomatët amerikanë nga Irani gjatë krizës së pengjeve 1979.

Regjisor i filmit është fituesi i çmimit Oscar Ben Affleck, i cili interpreton në rolin e Mendezit. Filmi ëstë bazuar në një histori të vërtetë që është kaq e pabesueshme sa duket si subjekt i krijuar.

Filmi “The Hobbit” që shfaqet këtë sezon festash, bazohet në një temë imagjinare. Me këtë episod pararendës, regjisori Peter Jackson premton spektakël për miliona adhurues të triologjisë “Lord of the Rings” dhe romanit të J.R.R Tolkienit.

Në filmat e sezonit të pushimeve hyn edhe muzikali “Të mjerët” me regjisor fituesin e çmimit Oscar Tomm Hooper. Në dallim nga filmi Anna Karenina, përshtatja e romanit të Viktor Hygoit është bërë në mënyrë tradicionale dhe i qëndron besnike librit.

Trupa e aktorëve ku përfshihet Anne Hathaway dhe Hugh Jackman, nuk kanë lëvizur asnjë notë nga origjinali. Filmi, i cili flet për dashurinë vëllazërore dhe pendimin njerëzor, reflekton atmosferën e festave.

Këta filma – e të tjerë- nuk do të jenë vetëm për një sezon festash nëpër kinematë amerikane. Ato kanë ngritur edhe siparin e kandidaturave për filmat Oscar që shpallen në muajin janar.

XS
SM
MD
LG