Lidhje

Analistët: Filmi, produkt i një pakice


Një person, që thotë se është autori i filmit i cili ka shkatuar demonstrata në vendet myslimane, ka kritikuar protestuesit në këto vende. Gjatë një interviste dhënë radios së financuar nga qeveria e SHBA-së, Sawa, personi që mendohet të jetë regjisori i filmit tha se arabët "duhet të mësojnë të demonstrojnë në mënyrë paqësore kundër çështjeve për të cilat nuk pajtohemi". Ai tha se të gjitha pretendimet se qeveria e Shteteve të Bashkuara është e përfshirë në realizimin e filmit janë "qesharake" dhe se "Amerika nuk ka asnjë lidhje me filmin." Radio Sawa thotë se personi në fjalë nuk pranoi të konfirmojë identitetin e tij, por sipas burimit që i mundësoi edhe kontaktin me të, emri i të intervistuarit ishte Nakoula Basseley Nakoula. Disa agjenci lajmesh e kanë lidhur filmin me titull “Pafajësia e Myslimanëve" me një të krishterë egjiptian, 55-vjeçar, i quajtur Nakoula, i cili jeton në Kaliforni dhe që kohët e fundit ka shërbyer një dënim me burg për mashtrime bankare.

Analistët thonë se filmi që shkaktoi trazira në Lindjen e Mesme është produkt i një pakice të mirë-financuar, e cila ka nxitur ndjenja anti-myslimane në Shtetet e Bashkuara që nga sulmet terroriste të 11 Shtatorit 2001. Disa ekspertë shprehen se këta aktivistë marrin dhjetëra miliona dollarë financime nga grupe anti-islamike.

Pasojat e një proteste vdekjeprurëse në Bengazi, të Libisë.
Dhe demonstrata të reja të përhapura në shumë vende myslimane, të shkaktuara nga një video në internet, që vë në lojë Muhamedin, profetin e Islamit.
Haris Tarin, drejtor i Këshillit të Çështjeve Publike Myslimane, thotë se filmi është prodhuar nga ajo që ai e përshkruan si "industria" e nxitjes së urrejtjes në Shtetet e Bashkuara.

"Kjo industri që është zhvilluar këtu e konsideron Islamin si problem."
Zoti Tarin thotë se kjo nisi pas sulmeve terroriste në Nju Jork dhe Uashington, 11 vjet më parë.

Pamela Geller është përfaqësuese e organizatës “Stop Islamizimit të Amerikës”. Sipas një raporti të vitit të kaluar të Qendrës për Përparim Amerikan, faqe të internetit si ajo e zonjës Geller janë përhapur shumë.

Në një konferencë të gazetarëve të fesë, vitin e kaluar, Faiz Shakir, bashkë-autor i raportit të titulluar "Kompania e Frikës ", paraqiti rezultatet e tij.

"Kompania e Frikës është një rrjet i vogël njerëzish në këtë vend që, gjatë dekadës së fundit, janë përpjekur të përhapin histori komplotesh të pabaza, të cilat nxjerrin shpifje kundër të gjithë myslimanëve në Amerikë."

Zoti Shakir thotë se ata kanë marrë dhjetëra miliona dollarë financime nga grupe anti-islamike.

"Pra, është fitimprurëse të jesh një urryes anti-mysliman."

Shënime të Anders Behring Breivik, autor i vrasjeve masive në Norvegji, sugjerojnë se ai ishte i frymëzuar nga retorika anti-islame amerikane.

Jocelyne Cesari është eksperte e shkencave politike në Shkollën e Studimeve Ndërkombëtare të Avancuara të Universitetit Johns Hopkins.

"Është një aktivitet transatlantik. Kam vënë re që mes Evropës dhe SHBA-së qarkullojnë tema të njëjta, argumente si dhe shifra të njëjta."

Analistja Cesari përmend politikanin holandez Geert Wilders, i cili dy vjet më parë iu bashkua protestuesve kundër ndërtimit të një xhamie në afërsi të vendit ku ndodhej Qendra Botërore e Tregtisë, në Nju Jork.

Ajo thotë se Islamofobia është një shpikje evropiane.

"Dhe të gjitha këto imazhe të përhapura të profetit Muhamed si anti-Krisht, si një person me fiksime seksuale, pra të gjitha këto gjëra nuk janë të reja. Ato mund të gjehen edhe në shkrime mesjetare."

Zonja Cesari paralajmëron se ekstremistët në të dyja anët gjejnë frymëzim tek stereotipet negative të njëri-tjetrit dhe ajo paralajmëron se gjërat mund të përkeqësohen, nëse nuk mbizotërojnë zërat më të moderuar.
XS
SM
MD
LG