Lidhje

Filmi mbi historinë e shpëtimit e rikthimit në jetën shtazore të disa kafshëve jetime


Filmi mbi historinë e shpëtimit e rikthimit në jetën shtazore të disa kafshëve jetime
Filmi mbi historinë e shpëtimit e rikthimit në jetën shtazore të disa kafshëve jetime

Filmi “Born to be wild” është frymëzuar nga lidhja që ekziston mes njerëzve dhe kafshëve. I xhiruar në teknologjinë 3 dimensionale dhe në formatin IMAX për ekran super-të-madh, ky film na çon në jetët e jashtëzakonshme të dy grave të rralla, të dedikuara për të shpëtuar kafshët jetime në rrezik. Filmi rrëfen dy histori: atë të orangutangëve në Borneo dhe të elefantëve në Kenia. Të dy gratë, protagoniste të filmit, ia kanë kushtuar jetën rehabilitimit të kafshëve të mbetura jetime dhe rikthimin e tyre më në botën shtazore së cilës i përkasin.

Filmi “Born to be Wild”, i teknologjisë 3 dimensionale, është mjaft tërheqës. Ai udhëton në jetën e elefantëve të vegjël dhe orangutangëve, dhe përmes jetës së dy grave të jashtëzakonshme, filmi zbulon emocionet e pashlyeshme dhe inteligjencën e kafshëve të egra.

Dafne Sheldrik është një specialiste e elefantëve e cila rrit një elefant të vogël jetim, në Parkun Kombëtar të Nairobit në Kenia, në lindje të Afrikës. Deri tani ajo ka shpëtuar, ka rritur e ka lënë të lirë 130 elefantë.

“Kjo është hera e parë që elefantët janë rritur në ambjente të kufizuara, e më pas janë kthyer atje ku iu takon, në natyrë”.

Ajo thotë se është e befasuar nga inteligjenca e elefantëve dhe nga shumë aftësi që ata kanë e që njerëzit nuk i zotërojnë, si komunikimi me tinguj të frekuencave të ulëta në distanca të gjata ose zbulimi i tërmeteve përmes shputave të këmbëve.

Në film, Shelderik ndan me shikuesin historinë e dhimbshme të elefantëve të mbetur jetimë e të traumatizuar mbasi panë nënat e tyre të vriteshin nga gjuetarët e paligjshëm të fildishit. Ajo flet gjithashtu për rikrijimin e besimit të tyre tek njerëzit.

“Është gëzim kur rrit me sukses një krijesë jetime e cila është plotësisht e dëmtuar e do vetëm të vdesë, dhe ti sheh se si ai rikthehet në jetë, nis të luajë, të rritet dhe ka sërish instiktin e tij të botës shtazore së cilës i përket. Kjo është arritje”.

Në ishullin e Borneos, në paqësor, Birute Mary Galdikas është studiuese e mamalëve dhe presidente e Fondacionit Ndërkombëtarë të Orungutangëve. Orangutangët janë në kufijtë e zhdukjes mbasi ambjentet e tyre vazhdojnë të shkatërrohen nga gjuetarët e paligjshëm, nga prerja e paligjshme e druve, dhe zhvillimi i plantacioneve të vajit të palmës. Gjatë 40 viteve të kaluara, Galdikas sëbashku me një grup kujdestarësh kanë shpëtuar orangutangët jetimë.

“Ne kemi disa kujdestarë dhe ata çojnë në pyll çdo ditë orangutangët dhe i lënë që të mësojnë njëri-tjetrin”.

Filmi ka një moment kulminant. Orangutangët - kryesisht të rinjtë - janë të famshëm për sjelljen e tyre komike. “Born to be wild” nuk ishte film i lehtë për t’u realizuar.

Skenaristi dhe produecenti Drew Fellman tha se të realizohej një film për botën shtazore në teknologjinë 3D ishte një sfidë nga ana teknike. Ai thotë se të lëvizje me një ngarkesë pajimesh prej 14 tonësh në xhunglën e ishullit Borneo dhe të xhiroje elefantët e mëdhenj në Kenia, ishte një kapitull më vehte.

“Ne kishim një paisje kamerash IMAX në vlerën e disa milionë dollarëve, dhe 30-40 elefantë të rritur që kalonin pranë tyre. Fatmirësisht nuk u thye asgjë. Orangutangët nuk prishën asgjë e madje na ndihmonin. Disa herë i gjenim duke u përpjekur që të ndiznin gjeneratorët apo të mbanin dritat, pra u bënë si pjesë e ekipit”.

Me pamjet mbresëlënëse dhe historinë imponuese, “Born to be wild” është një mesazh për të mbrojtur e respektuat botën shtazore. Dafne Shelderk thotë gjatë filmit ” Nëse doni vërtetë një kafshë, atëherë lëreni të lirë”.

XS
SM
MD
LG