Lidhje

Filmi Miral ndan hebrenjtë në Shtetet e Bashkuara


Filmi Miral ndan hebrenjtë në Shtetet e Bashkuara
Filmi Miral ndan hebrenjtë në Shtetet e Bashkuara

Miral, një film i ri i regjisorit të njohur Julian Schnabel bazohet në një libër të shkrimtares palestineze Rula Jebreal. Ai është kronologjia e jetës së katër grave palestineze nga viti 1948 kur u krijua shteti i Izraelit deri në vitet 1990. Përmes katër grave dhe veçanërisht Miralit, më të resë, filmi tregon historinë e konfliktit izraelito-palestinez. Regjisori Julian Schnabel, një hebre-amerikan, e shikon këtë konflikt përmes syve palestinezë dhe kjo ka nxitur një debat të fuqishëm mes hebrenjve në Amerikë.

Hind al-Husseini është një palestineze e shtresës së lartë. Në vitin 1948 ajo themeloi një shkollë në Jeruzalem për të strehuar vajza palestineze prindërit e të cilave ishin vrarë në konfliktin për tokën. Hind është një nga katër vajzat që paraqiten në këtë film.

Miral është më e veçanta nga të katra. Ajo u rrit në një shkollë në vitet 1980 dhe në fillim të viteve 90 gjatë kryengritjes së parë palestineze ndaj pushtimit izraelit në Bregun Perendimor.

Historia bazohet në romanin gjysëm-autobiografik të Rula Jebreal, e cila është skenariste e filmit. Ajo thotë se Miral përfaqëson të vërtetën e shtypjes izraelite të palestinezëve që nga viti 1948.

“Nuk është se ndodhi dhe mbaroi. Ajo po ndodh edhe sot. Mirali nuk jam më unë pasi unë ika dhe ndërtova jetën time. Por ajo përfaqëson shumë vajza që janë ende atje. Ato vazhdojnë të përballen me të njëjtën shtypje, me të njëjtin racizëm dhe në se kam patur ndonjëherë një moment shprese, ishte marrëveshja e paqes në vitin 1993. Por ajo shpresë u vra, u shkatërrua.”

Qeveria izraelite nuk ka komentuar për filmin por kundërshton vendimin për ta organizuar premierën në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.

Disa grupe hebraike thanë se filmi e paraqet Izraelin në dritë negative.

Julian Schnabel, artist dhe fitues i çmimeve për regjizurë, thotë se nuk e shqetëson kritika.

I ulur në karrigen e regjisorit në Zërin e Amerikës, ai shpjegon arsyen.

“E kuptova në fillim të këtij procesi se filmi do të sillte këtë lloj reagimi pasi nuk ka patur asnjëherë një film të realizuar në Shtetet e Bashkuara nga një regjisor hebre-amerikan rreth një vajze palestineze dhe pikëpamjeve të saj.

Sigurisht që ka një dialog që duhet të zhvillohet mes komunitetit hebraik në Shtetet e Bashkuara si dhe në Izrael pasi duhet ta zgjidhim këtë problem.”

Schnabel thotë se megjithëse filmi ka ngjallur debat mes hebrejve amerikanë, palestinezët dhe izraelitët ndajnë një shqetësim të përbashkët.

“Asnjë prej tyre nuk është i sigurt se fëmijët e tyre do të kthehen nga shkolla në fund të ditës, në se një terrorist do të kryejë një shpërthim apo nëse një plumb do të godasë fëmijët nga një ushtar i frikësuar në territoret e pushtuara.”

Kinematografia e Schnabelit pasqyron emocione të fuqishme. Personazhet sjellin në film shoqërinë e larmishme dhe komplekse palestineze. Ata janë pacifistë, militantë apo të guximshëm.

Fatkeqësisht dialogu është i thjeshtë dhe personazheve u mungon kompleksiteti.

Filmi përfundon me Marrëveshjen e Oslos në vitin 1993 që krijoi një rrugë për krijimin e shtetit palestinez.

Në film, Hind al Husseini themeluesja e shkollës i thotë Miralit se nuk e ka menduar se krijimi i shtetit palestinez do të ndodhë një ditë. Ajo ditë është ende larg.

Schnabel thotë se konflikti i vazhdueshëm e bën filmin e tij edhe më të kohës.

“Duhet të kuptojmë të tjerët. Kjo është arsyeja që realizova këtë film nga pikëpamja e të tjerëve.”

Duke e përqëndruar vështrimin, ai tregon se si njerëzit në Egjipt dhe Tunizi kërkuan paqësisht ndryshim. Ai shpreson që filmi i tij të ngjallë një debat që do të ndihmonte të sillte paqen dhe bashkekzistencën mes palestinezëve dhe izraelitëve.

XS
SM
MD
LG