Lidhje

Filmi “The Monuments Men”


A ia vlen të rrezikosh jetën për artin? Kjo është dilema në qendër të filmit të ri me temë nga Lufta II Botërore “The Monuments Men”. Filmi, i cili ka si regjisor dhe bashkë-skenarist George Clooney-n, që luan edhe rolin kryesor, bazohet në një ngjarje reale mbi rolin e një grupi ekspertësh arti të dërguar nga forcat aleate në Evropë për të mbrojtur vepra arti që të mos binin në duart e nazistëve, si dhe për të gjetur e rikthyer veprat e vjedhura në duart e pronarëve.

Ndërkohë që afron përfundimi i Luftës II Botërore, Presidenti Ruzvelt autorizon një ekip ekspertësh të artit të shkojnë në zona të pushtuara nga gjermanët në Evropë dhe të shpëtojnë vepra arti të vjedhura nga nazistët.

George Clooney, në rolin e shefit të ekipit, portretizon amerikanin George Leslie Stout. Nga 1944-1945, Stout mbikqyri gjetjen dhe zhvendosjen e mijëra veprave të artit të fshehura në miniera, kisha dhe pika të tjera në Evropë.

Filmi dhe trupa e aktorëve sjellin para shikuesve një interpretim artistik të këtij operacioni në filmin “The Monuments ‘Men'. Harta e përdorur nga ekipi është në ekspozim tek Muzeu i Artit Amerikan në Uashington. Kuratorja Kate Haw thotë se filmi përputhet me historinë që rrëfejnë dokumentat dhe fotografitë e muzeut:

“Shumë nga pjesëtarët e ekipit u kthyen nga lufta dhe u bënë figura të njohura në muzeume dhe në sferën akademike të historisë së artit”.

George Stout themeloi laboratorin e parë amerikan për ruajtjen e artit. Kapiteni James Rorimer u bë drejtor i Muzeut Metropolitan të Artit në Nju Jork. Matt Damon luan rolin e James Granger, një personazh i bazuar tek Kapiteni Rorimer.

Personazhi Claire Simone bazohet në jetën e kuratores Rose Valland. Ajo luajti një rol qendror në gjetjen e kryeveprave. Aktorja Cate Blanchet luan Claire Simone në film.

“Rose Valland fliste gjermanisht, por e mbajti këtë fakt sekret para nazistëve. Ajo dëgjonte me vëmendje çfarë thonin gjermanët, mbante shënime të kujdesshme se çfarë veprash do të silleshin në galerinë Jeu de Paume dhe ku do të dërgoheshin më pas.”

Pa inventarin e kuratores dhe fotografitë që ajo i dha Kapitenit Rorimer, shumë nga këto kryevepra do të ishin zhdukur përgjithmonë.

Në miniera u zbuluan si rezerva ari, ashtu edhe vepra arti. Ekspozita e Muzeut Smithsonian nderon punën e këtij ekipi. Por është rrëfimi emocional i krijimit hollivudian që e ka prezantuar publikun e gjerë me rolin dhe operacionet e këtyre ekspertëve të artit.
XS
SM
MD
LG