Lidhje

Filmi për Shqipërinë, “Falja e gjakut” fiton çmim në Berlinale


Filmi për Shqipërinë, “Falja e gjakut” fiton çmim në Berlinale
Filmi për Shqipërinë, “Falja e gjakut” fiton çmim në Berlinale

Filmi iranian “Nader dhe Simin: Një ndarje”, fitoi çmimin Ariu i Artë si filmi më i mirë në festivalin e Berlinit. Ai fitoi edhe çmimet për aktorin dhe aktoren më të mirë. Filmi përshkruan një martesë në krizë si dhe përplasjes mes mentalitetit tradicional dhe atij modern në shoqërinë iraniane. Regjisori amerikan, Joshua Marston dhe bashkëpunëtori i tij, Andamion Murataj fituan çmimin për skenarin më të mirë për filmin “Falja e gjakut”, i cili e merr temën nga gjakmarrja në Shqipëri.

Filmi “Falja e gjakut”, flet për një 17-vjeçar të quajtur Nik, i cili është në vitin e fundit të shkollës së mesme në Shqipërinë veriore. Nik ka vendosur që, sapo të mbarojë shkollën, të hapë një internet kafe. Gjithashtu, ai ka rënë në dashuri me një vajzë. Motra e tij, Rudina, është 15 vjeçe dhe ëndërron të ndjekë universitetin. Mirëpo familja hyn në një zënkë për pronësinë e tokës dhe i ati i tyre akuzohet për vrasje. Paparitur, dy fëmijët e gjejnë veten të përfshirë në një gjakmarrje të tmerrshme.

Aktorët dhe regjisori i filmit e festuan premierën në qilimin e kuq. Aktorja Ilire Vinca Çelaj ndihej e gëzuar që merrte pjesë në festivalin e Berlinit.

“Jam shumë e gëzuar. Jam e gëzuar për filmin dhe për veten time sepse është hera e parë që vij si aktore në një konkurs zyrtar në Berlin.”

Aktori Tristan Halilaj ishte i gëzuar që pa variantin përfundimtar të filmit për herë të parë.

“Ishte një përvojë shumë e bukur. Tani po shikojmë punën që kemi bërë. Është hera e parë që unë pashë filmin”.

Sindi Laçej luan për herë të parë në një film.

Nuk mund ta përshkruaj dot me fjalë,” tha ajo për pjesmarrjen në Berlinale.

Regjisori Joshua Marston është shumë i gëzuar.

“Është një përvojë e jashtëzakonshme. Filmit iu bë një pritje e mrekullueshme".

Në Festivalin e Berlinit, i cili zgjati 10 ditë, medias dhe blerësve të mundshëm iu paraqitën qindra filma të rinj.

XS
SM
MD
LG