Lidhje

Filmi "The Revenant"


Regjisori Alejandro Gonzalez Inarritu, fitues i çmimit Oskar thotë se realizimi i tij i fundit, "The Revenant", është një pasqyrim i filmografisë autentike. Filmi mbështetet në ngjarje reale. Ai ka në qendër marrëdhëniet familjare dhe forcën e shpirtit njerëzor në zonat e largëta të Amerikës. "The Revenant" fitoi çmimin Globi i Artë, për regjisorin, aktorin dhe filmin më të mirë dhe ka marrë 12 kandidatura për çmimet Oskar.

"The Revenant", me aktor kryesor Leonardo DiCaprio, tregon historinë e exploruesit të shekullit të 19-të, Hugh Glass, i cili sulmohet nga një ari dhe lihet të vdesë nga skuadra e tij e gjuetisë, ndërsa janë në një ekspeditë nëpër shkretëtirën amerikane. Glass mbijeton, dhe fillon një udhëtim për të kërkuar hakmarrje për njeriun që e tradhëtoi, John Fitzgerald.

Për të dhënë një ndjenjë autenticiteti, filmi, i cili është frymëzuar nga ngjarje të vërteta, u xhirua në mënyrë kronologjike dhe duke përdorur vetëm dritë natyrore si rrezet e diellit apo dritën e zjarrit. Inarritu thotë se duke mos përdorur efektet speciale, produkti përfundimtar është një pasqyrim i kinematografisë autentike dhe një shans që shikuesi të përjetojë natyrën e vërtetë.

"Ky është një homazh për kinematografinë origjinale, për të shkuar në vende reale dhe jo të modifikuara, apo me imazhe të kompjuterizuara që humbasin kontaktin me realitetin dhe përvojën e shqisave që ne duhet të ndjejmë dhe marrëdhënien që kemi me natyrën".

“The Revenant" u xhirua në Kanada dhe Argjentinë për gati nëntë muaj dhe në vende dhe kushte të vështira të motit si borë dhe ngricë, prandaj ishte një sfidë për ekipin.

Aktori britanik Will Poulter, i cili luan nxënësin e ri të Glass-it Jim Bridger, thotë se xhirimet ishin "gjëja më e vështirë që kemi bërë ndonjëherë”.

"Megjithëse ishte e vështirë, ne ishim shumë mirënjohës për atë eksperiencë reale dhe sfidat e aktrimit u përballuan pavarësisht se po xhironim në kushte moti të vështira dhe me dritë natyrale. Pra, kishte pak gjëra rreth nesh për të na tërhequr nga mjedisi aktual ku vepronin karakteret tona," thotë ai.

“The Revenant” fitoi tre çmime të Globit të Artë. Inarritu u cilësua regjisori më i mirë dhe DiCaprio aktori më i mirë dramatik – duke e vendosur atë si një konkurrent të fuqishëm për çmimin Oskar.

Vitin e kaluar Inarritu fitoi një Oscar për filmin 'Birdman'.

Regjisori thotë se në fund të fundit do të jetë juria që do të vendosë, por DiCaprio meriton "shumë vëmendje" për lojën e tij në “The Revenant”.

XS
SM
MD
LG