Lidhje

Filmi Zenne Dance i hedh një shikim komunitetit homoseksual në Turqi

  • Dorian Xhons

Filmi Zenne Dance i hedh një shikim komunitetit homoseksual në Turqi

Filmi Zenne Dance i hedh një shikim komunitetit homoseksual në Turqi

Një film i debatueshëm dhe novator ka filluar të shfaqet në ekranet e kinemave në Turqi. Film me titullin Zenne Dancer është frymëzuar nga historia e vërtetë e një burri homoseksual për të cilin policia dyshon se u vra nga babai i tij, në atë që mediat e cilësoi si “vrasje nderi” e një homoseksuali, e para e këtij lloji në Turqi. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Dorian Jones njofton nga Stambolli për kritikat dhe suksesin e këtij filmi.

Kolona zanore e filmit mund të dëgjohet në kinematë anembanë Turqisë, ndërkohë që Zenne Dancer vazhdon të gëzojë sukses në kinematë e vendit. Filmi u frymëzua nga historia e Ahmet Yildiz, për të cilin policia beson se u vra nga babai i tij në vitin 2008 sepse ai ishte homoseksual.

Yildiz ishte një mik i ngushtë i bashkë-regjisorëve Caner Alper dhe Mehmet Binay. Sipas regjisorit Alper, deri në vrasjen e tij ata nuk kishin plane për të bërë një film artistik.

“Një natë takuam një balerin zenne dhe filluam të regjistronim një dokumentar, dhe miku ynë i afërt u qëllua për vdekje nga i ati. Pastaj unë bisedova me partnerin tim Mehmetin për mundësinë i kombinimit të dy personazheve në një film artistik”.

Nën slloganin “ndershmëria mund të vrasë”, filmi analizon marrëdhëniet fiktive të zotit Yildiz dhe balerinit zenne. Filmi përshkruan përvojat e tyre kontradiktore të deklarimit të seksualitetit tyre me familjen dhe miqtë e tyre të ngushtë.

Ndërkohë që filmi Zenne Dancer pjesërisht është krijuar për komunitetin e homoseksualëve, biseksualëve dhe transeksualëve në Turqi, bashkë-regjisori Binay thotë se ata kanë qëllime më të mëdha për filmin.

“Jemi përpjekur që njerëzit e zakonshëm, ata që kanë fëmijë, kolegë ose shokë shkolle të cilët njohin dikë ndryshe se sa vetja e tyre, të shohin se ka identitete të ndryshme në shoqëri. Kemi marrë reagime shumë pozitive dhe inkurajuese prej tyre. Pra, unë besoj se në qoftë se rrëfen histori të drejt, njerëzit janë të gatshëm ta dëgjojnë atë”.

Në festivalin më prestigjoz të Turqisë për filmin, Antalya Golden Orange, Zenne Dancer fitoi pesë çmime të mëdha dhe ka marrë vlerësime të mira nga kritikët e filmit. Për shkak të vëmendjes së medias, Zenne Dancer u bë film popullor edhe jashtë festivalit. Kjo nuk ndodh shpesh me një film të pavarur të këtij niveli.

Zenne Dancer vazhdon të shfaqet në një nga kinematë e Stambollit, duke konkurruar kundër filmave të tjerë të prodhimit turk dhe filmave amerikanë. Audienca ka dhënë vlerësime për filmin.

Kjo grua thotë se ky është një film shumë i guximshëm, sepse për herë të parë është shtjelluar një temë tabu në film. Ajo shpjegon se është shumë e vështirë të shfaqësh gjëra të tilla në Turqi, por ajo shton se vendi po ndryshon dhe se ajo është e sigurt se ky nuk do të jetë filmi i vetëm që trajton këtë çështje.

Zenne Dancer nuk u ka shpëtuar polemikave. Gazeta e përditshme pro-islamike Akit e quajit filmin një “propagandë homoseksuale”, film nga homoseksualët që kërkojnë të “legjitimojnë shthurjen përmes artit”.

Por, sipas bashkë-regjisorit Binay, kritikat e këtij lloji kanë krijuar më shumë interes për filmin. Megjithatë, ai pranon se ishte i shqetësuar për pritjen që do t’i bëhej filmit në qytetet provinciale, si Bursa, të cilët njihen si qytete fetare dhe konservatore.

Suksesi i filmit Zenne Dancer është duke u parë si një tregues i ndryshimeve më të mëdha ndaj homoseksualëve në Turqi.

Vitin e kaluar, mijëra njerëz ndoqën marshimin më të madh të homoseksualëve në vend që u zhvillua në Stamboll. Disa vite më parë tubime të tilla ndaloheshin nga policia. Por një raport i kohëve të fundit i organizatës Amnesty International ka dokumentuar krime të vazhdueshme të urrejtjes, brutalitetin dhe diskriminim të homoseksualëve nga ana e qeverisë dhe policisë.

Bashkë-regjisori Binay beson se suksesi filmit Zenne Dancer është një tregues i ndryshimeve më të gjera në shoqërinë turke.

Autorët e filmit thonë se shpresa e tyre është që filmi të kontribuojë në ndërtimin e një shoqërie në të cilën njerëzit nuk vriten për shkak të seksualitetit të tyre.

XS
SM
MD
LG