Lidhje

Senati amerikan debaton mbi reformën financiare


Senati amerikan debaton mbi reformën financiare
Senati amerikan debaton mbi reformën financiare

Senati amerikan ka filluar debatin mbi një projektligj që tenton reformimin më të thellë të sistemit regullator financiar në Shtetet e Bashkuara që nga Depresioni i Madh i viteve 1930. Këto përpjekje vijnë dy vite mbrapa një krize financiare shkatërruese, e cila vazhdon edhe sot të rëndojë ekonominë amerikane. Kriza e 2008ës përqëndroi vëmendjen në oreksin për marrëveshje spekullative të Wall Street-it, një strategji kjo e cila ka fitime marramendëse kur tregu është në gjendje të qetë, por ama mund të sjellë shkatërrimin e plotë të sistemit financiar, nëse vlera e tregjeve pëson shumë ulje.

Shumica e amerikanëve njihen me termat financiare si aksione apo bondet. Por deri kohët e fundit, shumë pak i njihnin instrumentat më të sofistikuara financiare të Wall Street-it si derivatet apo obligimet e borxheve kolaterale sintetike. Këto shpikje të financës moderne, janë pjesë e një sistemi që financon dhe siguron sipërmarrjet e korporatave, ose që i lejon të spekullojnë mbi suksesin apo dështimin e tyre.

Marrëveshjet komplekse të Wall Street-it, u diskutuan gjatë një seancë dëgjimore të senatit në fillim të kësaj jave, para se të fillonte debati mbi reformën e sistemit rregullator financiar.

Ekzekutivë të lartë të kompanisë Goldman Saks, u përballën me pyetje tepër të vështira mbi mënyrën se si kompania kryente marketimin e produkteve, që ishin pjesë e një segmenti me rrezikshmëri shumë të lartë, siç ishte segmenti i industrisë së kredive për shtëpitë. Senatorët donin të dinin se me çfarë ndërgjegje, ata i shisnin këto produkte, pa u thënë klientëve se po investonin në të njëjtën kohë në segmente të tjera të cilat do të sillin fitime nëse produktet e mbështetura në kreditë që ata po u shisnin atyre do të falimentonin.Drejtori Ekzekutiv Lloyd Blankfein:

"Në kontekstin e tregut, këtu nuk ka konflikt."

Shefat e kompanisë Goldman Saks thanë se ishin krijues produktesh dhe shitës, dhe jo këshilltarë investimesh për klientët e tyre. Përgjigjet e tyre nuk u pëlqyen nga senatori demokrat i shtetit të Miçiganit Karl Levin, i cila foli për kanalin televiziv ABC, në emisionin “ Good Morning America.”

"Punonjësit e Goldman Sachs duhet t’u tregojnë në mënyre transparente fondit të pensioneve, apo kujtdo klienti, që mendojnë se produkti që ata po u shesin nuk është i mirë. Ata duhet t’u tregojnë njerëzve se “po investojnë kundër këtij produkti, dhe pranojnë investime nga kushdo që mendon se ai produkt do të falimentojë”.

Dështimi i produkteve që kishin lidhje me kredite e shtëpive, sollën shkatërrimin e shumë institucioneve financiare në Amerikë, detyroi që qeveria të jepte financime masive në sektorin privat, si dhe nisi një ndrydhje financiare, që përkeqësoi akoma më tepër ekonominë amerikane. Duke investuar kundër këtyre produkteve, Goldman Saks nxirrte fitime, ndërkohë kur pjesa tjetër e Amerikës zhytej në recesion.

Senatori Levin tha se veprimet e kësaj kompanie personifikojnë shembullin përse sistemi rregullator financiar ka nevojë për reformim.

"Tregut tonë kapitalist nuk i mungojnë marrëveshjet për interesa vetjake, apo konflikte interesash. Nuk i mungojnë as borxhet që janë rezultat i spekullimeve, e që në fund do të detyrohen t’i paguajnë taksapaguesit.”

Reforma e mbështetur nga demokratët kërkon të rrisë mbrojtjen e konsumatorëve në industrinë financiare, të forcojë rregjullat për firmat financiare, të kufizojë rrezikun që marrin bankat në investime dhe të hartojë procedurë për qeverinë federale të likuidojë firmat financiare që falimentojnë.

Koncepti kryesor i këtij projektligji është transparenca që lojtarët e Uoll Streetit duhet të jenë më të hapur rreth investimeve që bëjnë dhe marrëveshjeve që arrijnë. Por analistët theksojnë se firmat financiare shpenzojnë mjaft energji dhe burime për të hartuar strategji të investimeve të cilat në se do të bëhen publike mund të jenë inefiçente ose të kopjohen nga konkurrentët. Mark William jep financë në Universitetin e Bostonit.

"Më shumë transparencë do të thotë më shumë informacion pjesëmarrësve në tregë. Kjo mund të dëmtojë Goldman Saschs apo lojtarë të tjerë në se do të duhet të bëjnë publike pozicionimin e tyre në treg dhe çfarë presin. Ky informacion është si të hapësh librat e tyre të tregëtisë për publikun. Dhe kjo do të pakësonte fitimet e tyre."

Analistë të tjerë vënë në dyshim faktin në se Uashingtoni është në gjendje të hartojë një ligj që do të çrrënjoste sjelljet më destruktive të Wall Streetit pa shkatërruar elemetët bazë të sistemi kapitalist amerikan.

XS
SM
MD
LG