Lidhje

Financimet e dyshimta të partive


Përfaqësues nga shoqëria civile pohojnë se kapja e shtetit nga korrupsioni dhe krimi, nis me kapjen e partive, duke i mbushur ato me para të dyshimta për fushata luksoze.

OSBE dhe KQZ shprehën sot shqetësimin e tyre për kontrollin e vështirë mbi financimin e partive politike dhe të fushatave zgjedhore. Partitë bëjnë disa vetë-deklarime formale mbi fondet e tyre, por më pas kontrollorë të papaguar e kanë të pamundur që të kontrollojnë financimet e partive, nga qarkullojnë miliona euro për fushata dhe veprimtari të tjera.

Kryetari i Zyrës së OSBE-së, ambasadori Florian Raunig, tha se mungesa e integritetit dhe transparencës së partive politike po dobëson demokracinë dhe ekonominë e Shqiëprisë, e për rrjedhojë dëmtojnë sigurinë dhe qëndrueshmërinë afatgjatë të vendit. Demokracia shqiptare - tha ai - është aq e fortë sa janë të përgjegjshme partitë politike.

KQZ është ngarkuar me ligj që të kontrollojë financat partiake, por ai nuk mund ta mbikëqyrë i vetëm financimin e partive politike dhe fushatave, ndaj duhet edhe ndërhyrja e institucioneve të tjera shtetërore. Partitë politike nuk bashkëpunojnë për transparencë, dhe vazhdimisht akuzojnë njëra tjetrën për financime të errëta, blerje dhe manipulim votash..

Ekspertë të pavarur mendojnë se vetë-deklarimet mbi financat partiake kanë dështuar, ndaj nevojitet kontroll më i fortë shtetëror mbi burimin e aq shumë parave që hyjnë në arat e partive. Përfaqësues të tjerë nga shoqëria civile pohojnë me shqetësim se kapja e shtetit nga korrupsioni dhe krimi, nis me kapjen e partive, duke i mbushur ato me para të dyshimta për fushata luksoze.


Anketimi i Transparency International vitin e kaluar nxorri se shumica e shqiptarëve kanë një perceptim negativ për partitë politike. Rekomandimet e OSBE nuk lidhen aq me forcimin e ligjit, i cili është përmisuar dukshëm, por me zbatimin e tij. Ashtu si gjithë ligjet e tjera, edhe për ligjin mbi financimin e partive ekspertët pohojnë se është i mirë, por nuk zbatohet. Në raportin për vëzhgimin e zgjedhjeve të kaluara OSBE/ODIHR rekomandoi që partitë politike të raportojnë në KQZ të gjitha të ardhurat dhe shpenzimet e fushatës, ndërsa KQZ të publikojë raporte financiare paraprake para ditës së zgjedhjeve.

XS
SM
MD
LG