Lidhje

Flet publikisht rreshteri amerikan që do të dekorohet me Medaljen e Nderit


Amerikani i parë që mer Medaljen amerikane të Nderit që nga Lufta e Vietnamit do të dekorohet për kryerjen e një vepre të rrezikshme heroike – shpëtimin e një bashkëluftëtari gjatë një shkëmbimi të ashpër zjarri në Afganistan. Rreshteri Salvator Xhunta thotë se trimëria që tregoi në fushëbetejë nuk dallon nga angazhimet e përditshme të trupave amerikane. Siç njofton nga Uashingtoni korrespodenti i Zërit të Amerikës, Majkëll Bouman, Rreshteri Xhunta iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve përmes satelitit nga garnizoni i ushtrisë amerikane në Viçenca të Italisë.

Disa medalje nderi u janë ndarë pas vdekjes ish-pjesëtarëve të forcave amerikane për përpjekjet e tyre në luftë në Irak dhe Afganistan. Rreshterit do t'i ndahet medalja -- shpërblimi më i lartë ushtarak i vendit -- personalisht dhe ndërsa është gjallë.

Në tetor 2007, togës së Rreshterit Xhunta i dolën në pritë disa kryengritës afganë afër kufirit me Pakistanin. Disa prej bashkëluftëtarëve të tij u plagosën, përfshirë shokun e tij më të mirë, Xhosh Brenan.

Zoti Xhunta rikujton ngjarjet në një intervistë me programin ABC Njuz.

"Mendoj për këtë disa herë në ditë. Më kujtohet çdo ditë. Më lëndon ta tregoj ngjarjen e asaj dite."

Duke mos iu trembur plumbave të armikut, Salvator Xhunta ndoqi dy kryengritës të cilët po tërhiqnin pas ushtarin Brenan. Si udhëheqës i një skuadre pushkatarësh, ai vrau njërin nga kryengritësit dhe detyroi tjetrin të ikte. Ai dërgoi zotin Brenan në një vend më të sigurt dhe i qëndroi pranë, duke pritur ndihmën mjekësore.

Xhosh Brenan vdiq më pas nga plagët e marra. Por trimëria e Rreshterit Xhunta e shpëtoi ushtarin Brenan që të mos vdiste në duart e armikut.

"Do të mendoj gjithmonë për Xhosh Brenanin ashtu siç ishte, si njeri që dha gjithçka për vendin e tij."

Javën e kaluar, zoti Xhunta mori një telefonatë nga Presidenti Barak Obama, i cili e falënderoi për shërbimin e tij.

Duke folur dje për median, zoti Xhunta përshkroi Medaljen e Nderit dhe vlerësimin që po i bëhet si nderim por edhe pikëllim.

"Është emocionuese dhe madhështore. Gjithë kjo është madhështore. Por nuk i kthen prapa shumë kujtime të gjithë njerëzve që do të doja t'i shoh për një çast. Dhe nuk do ta kem atë mundësi sepse ata nuk janë më me ne."

Zoti Xhunta e përshkroi veten si ushtar "mesatar".

"Nuk bëradiçka që dikush tjetër nuk do ta kishte bërë në ato rrethana."

Por një tjetër i mbijetuar i përleshjes me kryengritësit, Rreshteri Bret Peri, i tha programit "ABC News" se heroizmi i zotit Xhunta ishte i njëmendtë.

"Ai do të thotë se po bënte vetëm punën e tij. Por e vërteta është se ka shumë pak njerëz në botë që do të bënin çfarë bëri ai."

Medalja e Nderit jepet për vepra trimërie që vënë në rrezik jetën dhe kapërcejnë e tejkalojnë përgjegjësitë e përcaktuara.

XS
SM
MD
LG