Lidhje

Fisher: “Demokracia shqiptare është në provë”


Shqipëria duhet të japë prova të qarta se demokracia e saj është në rrugën e duhur, dhe të hedhë hapa të sigurta drejt Bashkimit Europian. Ky është ndër përfundimet kryesore të konferencës ndërkombëtare që po mbahet në Tiranë nga Instituti i Studimeve Ndërkombëtare dhe Instituti Shqiptar i Medias. Ekspertë nga SHBA, Europa dhe Shqipëria i hodhën një vështrim kritik zhvillimeve politike gjatë 20 vjetëve dhe të ardhmes së vendit në përpjekjet për integrim europian.

Drejtuesi i Institutit të Studimeve Ndërkombëtare, Albert Rakipi, tha se “antarësimi në BE nuk arrihet në mënyrë magjike dhe kërkon shumë punë nga të gjithë faktorët shqiptarë”. Ai tha se këto vite janë të rëndësishme për qeverisjen demokratike, funksionimin e shtetit shqiptar me legjitimitet popullor për të ndërtuar një ekonomi kapitaliste, mbështetur në konkurrencën e lirë.

Ndërsa eksperti i çështjeve shqiptare nga Universiteti Indiana në SHBA, Bernd Fisher, tha në konferencë se në 100 vjetorin e pavarësisë partitë politike duhet të shtojnë përkushtimin për të tejkaluar sfidat e zhvillimit të Shqipërisë dhe integrimin në BE. “Disa përparime janë bërë si antarësimi në NATO, apo liberalizimi i regjimit të vizave, por përsëri ka mjaft për të ndrequr. Shumë vëzhgues të brendshëm dhe ndërkombëtarë që ndjekin jetën shqiptare vazhdojnë që të bëjnë thirrje për reforma urgjente që lidhen me demokratizimin e vetë partive politike, dhe forcimin e institucioneve shtetërore. Partitë ngjajnë më tepër si grupime shoqërore” - tha ai.

Studiuesi i njohur Fisher tha se edhe pas 20 vjetësh janë përsëri shumë të vogla ndryshimet ideologjike midis dy partive të mëdha politike; Ato janë autoritare, pa shumë debate të brendshme, dhe financimi i tyre ende nuk është transparent; këto parti ende kërkojnë reforma zgjedhore, kur nga 10 palë zgjedhje vetëm një raund zgjedhor është njohur nga të gjitha palët; Fushatat zgjedhore janë të dhunshme, ndërsa përgatitjet teknike politizohen, bashkë me dyshimet për numërimin e votave. “Krizat përsëriten sepse përsëriten këto probleme. Përsëriten bojkotet dhe shoqatat ende kritikojnë për korrupsion dhe krim të organizuar. Gjykatat akuzohen për politizim dhe korrupsion.

Dhuna e 21 janarit solli edhe dhunën e fjalimeve politike, fushatën e ashpër të zgjedhjeve vendore dhe kundërshtimin e rezultateve të tyre. Sipas vëzhguesve, sfidat janë të njëjta; zhvillimi i demokracisë dhe i ekonomisë, për të zhdukur dyshimet se Shqipëria po bën hapa prapa” - tha zoti Fisher.

Konferenca trajtoi edhe rolin e Shqipërisë në rajon dhe ndikimin që ka politika e saj e jashtme për të mbështetur paqen dhe qëndrueshmërinë në Ballkan.

XS
SM
MD
LG