Lidhje

Fitch ul klasifikimin e kreditit të Italisë dhe Spanjës


Fitch ul klasifikimin e kreditit të Italisë dhe Spanjës
Fitch ul klasifikimin e kreditit të Italisë dhe Spanjës

Italianët lexuan sot në gazeta se firma Fitch ka ulur me një pikë klasifikimin e kreditit të Italisë për shkak të përkeqësimit të krizës së borxhit në eurozonë dhe rrezikut për problemeve financiare në vend. Fitch është agjencia e tretë ndërkombëtare që ul klasifikimin e Italisë në javët e fundit.

Firma Fitch pason lëvizje të ngjashme nga Standard & Poor dhe Moody, duke thënë se besimi i tregut në Itali është gërryer nga reagimi fillimisht hezitues i qeverisë ndaj problemeve financiare. Fitch uli gjithashtu klasifikimin e kreditit për Spanjën me dy pikë.

Ulja e kreditit për të dy vendet nënvizon rreziqet në rritje me të cilat përballet eurozona, e cila tashmë po përpiqet të frenojë krizën në ekonominë greke, që është shumë më e vogël se dy të tjerat.

Fitch e uli klasifikimin për Italinë nga AA- në A+ ndërsa për Spanjën nga AA+ në AA-.

Firma la të kuptohet se për Italinë dhe Spanjën, respektivisht e treta dhe e katërta për nga madhësia në eurozonë, mund të ketë ulje të tjera në të ardhmen.

"Është e qartë se këtu ka diçka të vërtetë. Ata nuk e bëjnë këtë lloj vlerësimi të kreditit sipas qejfit, ndërkohë që kryeministri ynë minimizon çdo gjë që ndodh rreth tij", thotë banori i Romës, Armando Ogliarolo. “Kjo tregon se jemi në buzë të greminës,”
shton ai.

Disa analistë thonë se ulja e klasifikimit duhet të shihet si trysni e mëtejshme mbi qeverinë që ajo të miratojë reforma strukturore të cilat mungonin në planin e masave të ashpra buxhetore të miratuar kohët e fundit dhe që synojnë balancimin e buxhetit në vitin 2013.

Qeveria e zotit Silvio Berluskoni e prekur nga skandalet, planifikon të paraqesë këtë muaj një paketë masash për të ndihmuar rritjen ekonomike, por koalicioni i tij është aq i dobët dhe i përçarë saqë pak analistë kanë besim në aftësinë e qeverisë për të miratuar reformat e kërkuara.

Berluskoni ishte jashtë vendit, kur u dha lajmi i uljes së klasifikimit nga firma Fitch. Ai ndodhej në Rusi për të festuar ditëlindjen e kryeministrit Vladimir Putin.

Ndërkohë, shefja e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kristine Lagarde u takua sot me presidentin francez Nicola Sarkozi, një ditë para se udhëheqësit francezë dhe gjermanë të zhvillojnë bisedime në Berlin mbi krizën në eurozonë.

XS
SM
MD
LG