Lidhje

Fitore e rëndësishme për kandidatin Mitt Romney në Illinoi


Ish guvernatori i shtetit Masaçusets Mitt Romney arriti dje një fitore të thellë në zgjedhjet paraprake të republikane në shtetin llinoi. Nga zgjedhjet paraprake del kandidati republikan që do të përballet me Presidentin demokrat Barak Obama. Siç njofton korrespondenti Zërit të Amerikës Kane Farabaugh, shqetësimi kryesor për njerëzit nga qyteti i lindjes i ish presidentit Ronald Regan, një figurë e rëndësishme e Partisë Republikane, ishte ekonomia.

Mitt Romney pati një fitore vendimtare ndaj rivalit të tij Rick Santorum në Illinois shteti ku ka jetuar presidenti Barak Obama.

“Ne meritojmë një president i cili beson tek ne, dhe beson tek Amerika”.

Por trashëgimia e një presidenti tjetër sjell kujtime të mira për votuesit republikanë në Illinoi. Në qytetin Dikson, vendlindjen e Ronald Reganit, presidentit të 40-të, njerëzit kanë kujtime të mira për të.

Farmacisti Everette Brooks dhe gruaja e tij Carla janë pronarë të një dyqani lulesh në Dikson. Ai me dashuri kujton vizitat e zotit Regan në vendlindjen e tij.

“Fryma që solli Ronald Reagani vazhdon të jetë e pranishme në zemrat tona. Duket se ai nuk është i pranishëm vetëm në zemrat e njerëzve në Uashington”.

Ish-senatori amerikan Rick Santorum është përpjekur të pasqyrojë frymën e Ronald Reganit në një fjalim që bëri para mbështetësve të tij në prag të zgjedhjeve.

“Mos u bëni si ata njerëz për të cilët Reagani ka folur, të cilët do të duhet t’u tregojnë fëmijëve të tyre dhe nipave të tyre, se si ishte jeta në Amerikë kur njerëzit ishin të lirë”.

Kjo nuk ishte e mjaftueshme për të fituar votën e zotin Brooks. Ai mbështeti zotin Romney, me shpresën se përvoja e tij në biznes mund të ndihmojë në zgjidhjen e disa prej problemeve me të cilat përballet biznesi i tij.

“Ne duhet të transportojmë artikujt tanë. Çmimi i benzinës po na dëmton shumë dhe zoti Obama nuk duket se është i interesuar ta zgjidhi këtë problem”.

Carla Brooks thotë se çmimet e larta të karburantit janë vetëm një nga problemet e fundit ekonomike për biznesin e tyre të vogël.

“Ndryshimet mund të vërehen. Njerëzit nuk blejnë më lule siç kanë bërë më parë. Ata janë më të kujdesshëm me paratë e tyre”.

Ann Lewis është anëtare e bordit në Shtëpinë ku kaloi vitet e fëmijërisë Ronald Reagani në Dikson. Ajo thotë se niveli i lartë i papunësisë po ndikon biznesin e zotit Brooks.

“Në fund të dhjetorit, kur u publikuan shifrat e fundit ekonomike, niveli i papunësisë ishte 9,8 përqind në Dikson, pra ne kemi nevojë për vende pune”.

Shumë votues në Illinoi thonë se mbështesin zotin Romney, sepse ai ka përvojë në krijimin e vendeve të punës dhe mund të ndihmojë ekonominë.

Por pavarësisht se kush do të jetë kandidati republikan, Carla Brooks është e vendosur të votojë për të në zgjedhjet e përgjithshme të nëntorit.

“Unë dua që Barack Obama të humbasë”.

XS
SM
MD
LG