Lidhje

Fitu: Bisedimet Kosovë–Serbi dhe integrimet në BE janë çështje të ndara

  • Leonat Shehu

Fitu: Bisedimet Kosovë–Serbi dhe integrimet në BE janë çështje të ndara

Fitu: Bisedimet Kosovë–Serbi dhe integrimet në BE janë çështje të ndara

Ambasadori francez në Prishtinë, Zhan Fransoa Fitu tha sot se bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë të ndara nga procesi i integrimeve evropiane. Ai i bëri këto komente gjatë një debati mbi normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet këtyre dy vendeve ku bisedimet e filluar më 8 mars u vlerësuan si një nga rrugët e këtij normalizimi. Zëvendëskryeministri i Kosovës Sllobodan Petroviç tha se qeveria e Kosovës është e përkushtuar ndaj proceseve integruese.

“Qeveria e Kosovës ka një mision që është afrimi me integrimet përkatësisht Bashkimin Evropian dhe procesin e suksesshëm të bisedimeve me Serbinë”, tha zëvendëskryeministri Petroviç, duke nënvizuar se bisedimet nuk duhet të politizohen por të shërbejë për zgjidhjen e problemeve të përbashkëta.

Ndërsa Luan Shllaku nga fondacioni për shoqëri të hapur tha se e vetmja rrugë e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është integrimi në Bashkimin Evropian.

“E vetmja vlerë e madhe e cila mund të ndërlidhë apo të qëndroj si emërues i përbashkët në marrëdhëniet ndërmjet këtyre dy shteteve në të ardhmen do të ishte procesi i integrimeve në Evropë. Për këtë arsye ne i kemi analizuar për së afërmi se çka do të thotë të integrohet Serbia njëherë e më vonë edhe Kosova dhe kur në një moment brenda një ombrelle të caktuar futen dy shtetet atëherë do të jetë një pozicion shumë më ndryshe prej pozicionit të cilin e kemi në këtë moment dhe që është shumë dëbues ndaj njëri tjetrit”, tha zoti Shllaku.

Por, ambasadori francez Zhan Fransoa Fitu tha se bisedimet aktuale nuk kanë të bëjnë me integrimet, por ato janë një mjet për të zgjidhur problemet konkrete të qytetarëve të të dyja palëve.

“Tash mund të them se bisedimet nuk janë rrugë e procesit të integrimeve evropiane. Bashkimi Evropian është aty për të ndërmjetësuar dhe për të ndihmuar të dyja palët që të bisedojnë për çështjet konkrete”, tha ai duke nënvizuar se Kosova dhe Serbia sikurse edhe vendet tjera të rajonit duhet të punojnë për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian, por nuk duhet ngatërruar procesin e bisedimeve me atë të integrimeve.

Gjatë kësaj jave pritet të mbahet raundi i tretë i bisedimeve ndërmjet të dyja palëve për të vazhduar bisedimet në të cilat deri tash janë shtruar çështjet që kanë të bëjnë me lëvizjen e lirë, dokumentet e regjistrimit civil, doganat, hapësirën ajrore dhe marrëveshjet rajonale si dhe çështjet e energjisë dhe telekomunikacionit.

Përfaqësuesit e të dyja palëve pritet të shpeshtojnë takimet në muajt që vijnë dhe diplomatët ndërkombëtarë shpresojnë në afrimin e të dyja palëve dhe shkrirjen e marrëdhënieve të ngrira për shkak të refuzimit të Serbisë që të njohë pavarësinë e Kosovës, të cilën deri tash e kanë njohur 75 vende të botës.

Në Prishtinë, opozita thotë se bisedimet janë në favor të Serbisë dhe Kosova nuk do të ketë asnjë përfitim prej tyre në këtë periudhë kur Beogradi refuzon të njoh pavarësinë e Kosovës dhe kontrollon një pjesë të territorit të saj me strukturat paralele. Por, udhëheqësit e qeverisë besojnë se fundi i bisedimeve do të shënojë edhe një hap drejt forcimit të paqes në rajon.

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG