Lidhje

SHBA: Rubio del nga gara, Kasich fiton në Ohajo


Republikani i Floridës, Senatori Marco Rubio u largua nga gara presidenciale, ndërsa guvernatori republikan i Ohajos, John Kasich mposhti kryesuesin e garës Donald Trump në shtetin e tij.

Dita e martë ishte një ditë e ngarkuar me gara të rëndësishme në një numër shtetesh.

Republikani Trump fitoi në Florida me rezultat mjaft të thellë ndaj Rubios që doli në vend të dytë. Senatori Teksasit Ted Cruz si dhe Kasich u paraqitën shumë më dobët në këtë shtet. Trumpi fitoi edhe në parapraket e shteteve Ilinoi dhe Karolina e Veriut.

Bob Bolus, mbështetës i kandidatit Trump.
Bob Bolus, mbështetës i kandidatit Trump.

Florida është shteti ku fituesi i merr të gjitha, pra aty zoti Trump i merr të 99 delegatët, pa u dashur t'i ndajë me rivalët e tjerë.

Senatori Marco Rubio i jep fund fushatës presidenciale
Senatori Marco Rubio i jep fund fushatës presidenciale

Pas humbjes poshtëruese në shtetin e tij, Rubio tha se i ishte mirënjohës të gjithë atyre që e mbështetën. Ai tha se nuk ishte në "planet e Zotit" që ai të bëhej president në vitin 2016 e ndoshta kurrë.

Edhe Ohajo është një shtet ku fituesi i merr të gjitha dhe fitorja e Z. Kasich ndaj Trumpit do ta mbajë gjallë fushatën e tij. Ai parashikoi se do të jetë mjaft konkurrues në zgjedhjet e ardhshme paraprake, duke vënë në dukje se mbeten ende 1000 delegatë për t'u vendosur se si do të ndahen.

Duke e sulmuar tërthorazi zotin trump, Kasich tha se ai nuk do të ndjekë një rrugë jodinjitoze drejt postit më të lartë politik të vendit.

Ndërkohë, Zoti Trump nuk dukej se humbja në Ohajo e kishte shqetësuar. Ai kryeson thellë për nga numri i delegatëve dhe tha mbrëmë se nuk do të ndalet deri në fitoren "për vendin". Ndryshe nga herët e tjera, komentet e tij ishin të buta. Ai tha se kishte ardhur koha për ta bashkuar Partinë Republikane.

Në shtetin Mizuri, rezultati mes tij dhe zotit Cruz ishte mjaft i ngushtë. Ndërkohë, edhe Zoti Cruz tha se është koha që republikanët të bashkohen. Ai tha se i mirëpriste në fushatën e tij votuesit që kishin mbështetur kandidatin Rubio dhe shtoi se "Amerika ka një alternativë të qartë në rrugën e saj drejt së ardhmes."

Në kampin demokrat, Zonja Clinton mposhti senatorin e Vermontit, Bernie Sanders me rezultat të thellë në Florida, Karolinën e Veriut dhe Ohajo, duke marrë shumicën e delegatëve në të treja shtetet. Rezultati në Ilinoi ishte tepër i ngushtë.

Zonja Clinton e quajti ditën e djeshme një tjetër "Super e Martë" për veten e saj. Ajo e uroi zotin Sanders për fushatën e tij "të fuqishme" dhe në komentet drejtuar Zotit Trump tha se deportimi i imigrantëve dhe tortura ishin veprime të gabuara dhe nuk do ta bënin Amerikën më të fortë.

Kandiatja Hillary Clinton flet në West Palm Beach të Floridës.
Kandiatja Hillary Clinton flet në West Palm Beach të Floridës.

XS
SM
MD
LG