Lidhje

Fjalimi i presidentit mbi gjendjen e vendit

  • Jim Malone

Presidenti Barack Obama do të mbajë fjalimin mbi gjendjen e vendit të martën para të dyja dhomave të Kongresit amerikan, fjalim që do të ndiqet nga miliona njerëz në televizion. Fjalimi i këtij viti i ofron presidentit mundësinë për të ndryshuar arritjet e tij të dobëta politike.

2013 shënoi zbrapsje politike për Presidentin Barack Obama. Fillimi i vështirë i arritjet së tij kryesore, reforma e kujdesit shëndetsor, ishte një faktor i rëndësishëm që ndikoi në uljen në maksimum të mbështetjes së publikut për të.
Anketat më të fundit të opinionit publik tregojnë se mbështetja për mënyrën se si presidenti po e kryen punën e tij është rreth 40 për qind, shifër kjo e dobët për një president në mandatin e dytë.

Sipas anketës më të fundit në rang kombëtar e kryer nga Universiteti Quinnipiac, 40 për qind e të anketuarve miratojnë punën e presidentit, krahasuar me 54 për qind që nuk e miratojnë atë.

Anketuesi i Universitetit Quinnipiac, Tim Malloy thotë se presidenti Obama ka mbështetje negative lidhur me disa çështje kryesore.

“Presidenti vazhdon të jetë tani në territor negativ mbi ekonominë, buxhetin federal si dhe politikën e jashtme. Një numër i madh votuesish të regjistruar mendojnë se presidenti ka bërë një punë të dobët për reformën e kujdesit shëndetsor”.

Pritet që presidenti ta përqëndrojë fjalimin mbi gjendjen e vendit në çështjet ekonomike. Mes shenjave se ekonomia po e rimerr veten, ka të ngjarë që presidenti të theksojë nevojën që mundësitë ekonomike të jenë të disponueshme për të gjithë amerikanët.

Administrata synon të përqëndrohet në çështjen e pabarazisë së të ardhurave në Shtetet e Bashkuara në këtë vit zgjedhjesh mes mandati presidencial në nëntor.
Eksperti i Institutit Brookings, Thomas Mann thotë se demokratët shpresojnë se fokusi tek ekonomia në përgjithësi dhe drejtësia ekonomike në veçanti do të ndihmojnë kandidatët e tyre në zgjedhjet e nëntorit.

“Si po shkon ekonomia? Dhe bëhet fjalë si për vendet e punës edhe për zhvillimin ekonomik, por pas këtyre aspekteve fshihet pabarazia ekonomike dhe çështja e Dy Amerikave”.

Republikanët e opozitës thonë se ekonomia dhe krijimi i vendeve të punës janë edhe për ta përparësi në zgjedhjet e 2014. Por ata janë gjithashtu të vendosur t’i mbajnë gjallë problemet me ligjin e kujdesit shëndetsor, megjithëse e pranojnë se disa prej problemeve të mëparshme kanë filluar të korrigjohen.
Fjalimi mbi gjendjen e vendit i ofron presidentit mundësinë më të mirë për të parashtruar agjendën e tij politike, që përfshin objektiva të politikës së jashtme dhe të brendshme.

Analistët thonë se sfidat e politikës së jashtme për presidentin mund të kenë gjithashtu ndikim në zgjedhjet e këtij viti për në Kongres, përfshirë përpjekjet për të ndalur programin bërthamor të Iranit si dhe kërcënimin terrorist në rritje që përbën al Qaida dhe grupe të tjera nëpër botë.

Historikisht, partia e presidentit humbet vende në zgjedhjet e mes mandatit presidencial gjatë manadatit të dytë. Analisti i raportit politik Cook Political, David Wasserman tha për Zërin e Amerikës se koalicioni votues i të rinjve, pakicave dhe grave, që ndihmuan dy herë në zgjedhjen e presidentit Obama ka më pak të ngjarë të marrë pjesë në zgjedhjet për në Kongres.

“Dhe nëse pjesmarrja e këtij elektorati bie ndjeshëm ditën e zgjedhjeve, atëhere elektorati mund të jetë në favor me 2-3 për qind për republikanët krahasuar me dy vjet më parë dhe kjo është një perspektivë me të vërtetë e dëmshme për të gjithë demokratët”.

Shumica e analistëve thonë se republikanët do të jenë në gjendje të ruajnë ndoshta edhe të shtojnë shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve.
Por beteja e vërtetë do të zhvillohet për kontrollin e Senatit. Demokratët gëzojnë shumicën në Senat, por shumë prej garave për 35 vendet në Senat këtë vit zhvillohen në shtete, ku republikanët kanë avantazh.
XS
SM
MD
LG