Lidhje

Fjalimi i Mbretit fiton Oskarin kryesor, Kolin Fërth shpallet aktori më i mirë për rolin e monarkut

  • Zëri Amerikës

Fjalimi i Mbretit fiton Oskarin kryesor, Kolin Fërth shpallet aktori më i mirë për rolin e monarkut

Fjalimi i Mbretit fiton Oskarin kryesor, Kolin Fërth shpallet aktori më i mirë për rolin e monarkut

Drama mbretërore britanike, The King’s Speech (Fjalimi i Mbretit), fitoi çmimin kryesor si dhe tri shpërblime të tjera të Akademisë amerikane në ceremoninë e 83-të që u zhvillua të dielën mbrëma në Los Anxhelos.

Ylli britanik, Kolin Fërth, u shpërblye me çmim për aktorin më të mirë. Ai luan rolin kryesor në film, Mbretin Xhorxh VI, i cili më vitet 1930 përpiqet të tejkalojë marrjen e gojës.

Nga 12 çmime për të cilat qe emëruar, Fjalimi i Mbretit fitoi gjithsej katër çmime, përfshirë Oskarin për regjinë më të mirë. Ndërsa falë punës së Dejvid Sidlerit, filmi u shpërblye për skenarin më origjinal.

Oskari për aktoren më të mirë i takoi Natali Portmanit, e cila luan rolin kryesor në filmin Black Swan (Mjellma e zezë), një tregim që përshkruan jetën e vështirë të një balerine.

Melisa Lio fitoi të parin Oskar që u nda gjatë ceremonisë për aktoren më të mirë në rol dytësor në filmin The Fighter.

Aktori i të njëjtit film, Kristian Bejl, u shpërblye po ashtu për interpretimin më të mirë të një roli anësor.

Nga filmat e vizatuar, më i miri u shpall Toy Story 3.

Një tjetër vepër që u emërua për çmimin e filmit më të mirë ishte The Social Network (Rrjeti shoqëror), që tregon ecejaket e themeluesit të Facebook-ut, Mark Zakërbërg, ndërkohë që faqja elektronike që ai krijon bëhet fenomen botëror dhe përballet me gjyq. Filmi ishte favorit i hershëm për të fituar Oskarin kryesor pasi u shpërblye me katër çmime Globi i Artë muajin e kaluar. I emëruar për tetë kategori, filmi mori tri çmime Oskar.

Aktori Arun Sorkin fitoi oskarin e parë të Rrjetit shoqëror për përshtatjen më të mirë të skenarit. Dy çmime të tjera iu ndanë filmit për muzikën dhe montazhin më të mirë.

Nga filmat e huaj, u nderua me çmim drama nga Danimarka, In a Better World (Në një botë më të mirë). I emëruar në këtë kategori qe edhe filmi grek, Dogtooth (Dhëmb qeni).

Drejtuesit e ceremonisë sivjet ishin aktorët Xhejms Franko dhe An Hathëuej.

XS
SM
MD
LG