Lidhje

Presidenti Obama mban fjalim para organizatës së Veteranëve të Luftrave të Jashtme


Presidenti Barak Obama përdori një fjalim në Reno, të Nevadës, para anëtarëve të një organizate të madhe veteranësh ushtarakë, për të theksuar arritjet e tij lidhur me fundin e luftës në Irak dhe pakësimin e operacioneve luftarake amerikane në Afganistan.

Presidenti Obama po kërkon mbështetjen e veteranëve, ndërkohë që vazhdon fushatën për rizgjedhje në nëntor. Ai tha se dëshiron që ata të kujtojnë premtimin që ai mbajti për të përfunduar me nder rolin luftarak të Shteteve të Bashkuara në Irak, dhe pëfundimin gradual të përfshirjes ushtarake amerikane në Afganistan.

Zoti Obama tha se ai shpreson që hapat që ai ka ndërmarrë për të ndihmuar veteranët të gjejnë punë në një situatë ekonomike të vështirë dhe ndihma për familjet ushtarake do të rrisin mbështetjen për të, veçanërisht në mesin e veteranëve të rinj.

Gjatë fjalimit të tij para Veteranëve të Luftrave të Jashtme, një organizatë me 2,1 milionë anëtarë, zoti Obama përmendi gjithashtu sukseset amerikane kundër rrjetit terrorist të al-Kaidës. Shtetet e Bashkuara, tha ai, janë një vend më i fortë dhe më i respektuar, për shkak të udhëheqjes së tij.

"Ndërkohë që reflektoni mbi vitet e fundit, ndërkohë që shohim përpara për sfidat me të cilat përballemi si një komb dhe për udhëheqjen që është e nevojshme, ju nuk keni në dispozicion vetëm fjalët e mia, por edhe veprat e mia. Mund të shihni arritjet e mia. Mund të shihni premtimet që kam bërë dhe premtimet që kam mbajtur."

Presidenti Obama theksoi edhe veprimet që administrata e tij ka ndërmarrë për të siguruar që veteranët të kenë kujdes shëndetësor më të mirë, duke përfshirë shërbimet rehabilituese për të plagosurit rëndë.

Pentagoni thotë se 4 mijë e 487 amerikanë u vranë dhe 32 mijë e 226 të tjerë u plagosën gjatë luftës në Irak. Grupe private thonë se numri i të plagosurve është disa qindra mijëra, nëse lëndimet traumatike të trurit, stresi post-traumatik dhe kushte të tjera mjekësore merren parasysh.

Anketa të opinionit mes veteranëve amerikanë tregojnë se zoti Obama qëndron pas kundërshtarit të tij të mundshëm republikan, ish guvernatorit të Masaçusetsit Mitt Romney.

Sipas një sondazhi të fundit, zoti Romney udhëheq ndaj Presidentit me 59 kundër 35 për qind, në mesin e votuesve të mundshëm të cilët kanë shërbyer në ushtri, një rezultat i ngjashëm me një sondazh tjetër të tre muajve më parë.

Në fjalimin që do të mbajë sot para organizatës së Veteranëve të Luftrave të Jashtme, zoti Romney pritet të përsërisë kritikat e tij ndaj politikës së jashtme të administratës së Presidentit Obama, pa përjashtuar Irakun e Afganistanin, duke thënë se presidenti po dobëson ushtrinë.

Presidenti Obama foli për këtë çështje gjatë fjalimit të tij të djeshëm, para paraqitjes së zotit Romney.

"Ne do të ruajmë superioritetin tonë ushtarak. Do të jemi të pakalueshëm për sa kohë që unë jam president, por edhe në të ardhmen. Ne kemi ushtrinë me trajnimin më të mirë, me udhëheqjen më të mirë, dhe me pajisjet më të mira në histori. Dhe si komandant i përgjithshëm, unë do ta ruaj këtë status të pandryshuar."

Lidhur me shkurtimet e mëdha të detyrueshme të shpenzimeve – duke përfshirë ato ushtarake - që mund të vendosen në fund të vitit, zoti Obama i bëri thirrje Kongresit që të jetë dakord për një mënyrë të ekuilibruar të pakësimit të deficitit federal, duke i mbajtur forcat e armatosura të forta.

Presidenti tha se - megjithëse ka shumë punë për të bërë, duke përfshirë përpjekjet për të reduktuar më tej numrin e të papunëve, të të pastrehëve dhe rastet e vetëvrasjeve midis veteranëve - ai ka ruajtur një “marrëveshje të shenjtë” me veteranët e vendit, duke thënë se ai do të kujdeset për ta.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG