Lidhje

8 të vdekur nga përmbytjet në Evropë


Përmbytjet që kanë përfshirë Gjermaninë, Austrinë, Zvicrën dhe Republikën Çeke kanë shkaktuar vdekjen e të paktën tetë personave dhe humbjen e nëntë të tjerëve. Ndërkohë sot në disa pjesë të Gjermanisë niveli i ujërave, që nuk është parë në pesë shekuj, ka filluar të bjerë, por qytetet e Gjermaninë juglindore që ndodhen pranë lumenjve përgatiten të përballen me vërshime të reja.

Vullnetarët në Saksoni dhe Saksoni-Anhalt kanë punuar deri në orët e para të ditës së sotme për ngritjen e barrikadave me rërë.

Niveli i ujërave në Saksoni-Anhalt sot pritet të arrijë kuotën më të lartë në histori ndërsa qyteti Jessnitz është i izoluar që nga e hëna.

“Është e tmerrshme, çdo gjë është shkatërruar. Në fillim muret pastaj dyshemetë. Të gjitha na janë shkatërruar plotësisht”, - thotë Juliane Flauss, banor i qytetit Jessnitz. Dje në Passau Danubi arriti nivelin më të lartë që nga viti 1501. Sot niveli i ujit ka rënë gjysmë metër.

Kancelarja Angela Merkel sot vizitoi Passaun dhe premtoi mbështetje për rajonet e prekura.

“Dëmet dhe humbja e të ardhurave janë një problem afatë-gjatë prandaj mbështetja jonë për këto rajone nuk do të bjerë”, - tha kancelarja Merkel.

Vërshimet kanë përfshirë edhe landet lindore Tyringen, Saksoni Anhalt dhe Brandenburg.

Njoftohet se përmbytjet në Gjermani, Austri, Zvicër dhe Republikën Çeke kanë shkaktuar vdekjen e të paktën tetë personave dhe humbjen e nëntë të tjerëve. Në republikën Çeke gjatë fundjavës si rezultat i përmbytjeve pesë njërëz humbën jetën ndërsa në Austri një punonjës pastrimi nga rrëshqitja e dheut pranë Salcburgut.

Ndërkohë zëdhënësja e Komisionerit të Bashkimit Evropian për politikat rajonale Shirin Wheeler u shprehu ngushëllime atyre që janë prekur nga përmbytjet dhe tha se BE-ja do të ndihmojë rajonet e dëmtuara.


XS
SM
MD
LG