Lidhje

Transporti personal me mjete fluturuese

  • GEORGE PUTIC

Celularët inteligjentë të ngjashëm me kompjutera xhepi tashmë i disponojmë dhe po ashtu dronët fluturues të pajisur me kamera. Robotët dhe makinat pa shofer tashmë janë shumë pranë. Dy grupe shpikësish thonë se së shpejti do të jemi në gjendje edhe të fluturojmë.

Ka qenë një ëndërr e hershme e shpikësve të mundësonin fluturimin e njeriut me lehtësinë e të ngarit të një biçiklete. Por, siguria dhe stabiliteti i këtyre mjeteve ka qenë gjithnjë shqetësim.

Ndërkohë që gjatë kësaj dekade po zhvillohen teknologji të reja dhe po rritet fuqia e baterive, ëndrra për një mjet personal fluturimi po i afrohet realitetit.

Firma britanike Malloy Aeronautics ka demonstruar prototipin e saj hoverbike (motori fluturues), për të cilin mendon se do të jetë platforma personale e fluturimit:

“Nuk kushton shumë. Mund të mbartë ngarkesë të konsiderueshme. Mund të hyjë dhe të dalë në vende me hapësira të vogla, dhe mund të dërgohet nga një kontinent në tjetrin, pasi është lehtësisht e paketueshme,” thotë drejtori i marketingut, Grant Stapleton, i cili thekson se sigurinë e kanë patur prioritare, dhe se projektuesit patën idenë novatore të krijimit të helikave të mbivendosura dhe shtytësve rrotullues:

“Me këta lloj motorësh rrotullues mbrohen njerëzit dhe prona nga ndonjë aksident i mundshëm, dhe nëse diçka ndodh, mjeti ulet nga ajri.”

Kompania po teston gjerësisht një model të pjesshëm dhe një të plotë. Shpikësit thonë se gjasat janë që Hoverbike të përdoret fillimisht nga ushtria, policia dhe skuadrat e kërkim-shpëtimit.

Ndërkohë, kompania Martin Aircraft, nga Zelanda e Re, po teston një prototip të sajin të quajtur Jetpack, i cili mund të fluturojë për mbi 30 minuta, dhe deri në një lartësi prej 1 mijë metrash me shpejtësi deri në 75 kilometra në orë:

“Siguria është në qendër të projektimit dhe qëndrueshmëria gjithashtu. Është e ngjashme me një makinë garash Formula One,” thotë drejtori ekzekutiv Peter Coker.

Jetpack ka një motor benzine me katër cilindra dhe 200 kuaj fuqi që çlirohen nga motorë të fuqishëm reaktivë. Zoti Coker thotë se ka edhe një sistem parashutimi:

“Parashuta mund të hapet në lartësi shumë të vogël për të shpëtuar mjetin dhe pilotin në një rast emergjence.”

Zoti Coker thotë se Jetpack do të jetë gati për të dalë në treg në fund të vitit 2016, me një çmim prej 200 mijë dollarësh.

XS
SM
MD
LG