Lidhje

Shtëpia e Bardhë: Flynn humbi besimin e Presidentit


Shtëpia e Bardhë tha se presidenti Trump i kërkoi dorëheqjen këshilltarit të sigurisë kombëtare Michael Flynn pasi nuk kishte më besim tek ai, dhe jo për ndonjë arsye ligjore.

Administrata tani e pranon se Flynn e keqinformoi nënpresidentin rreth bisedave të tij me ambasadorin rus në Shtetet e Bashkuara. Disa ligjvënës kanë premtuar të fillojnë një hetim lidhur me çështjen.

Administrata kishte javë që po e shqyrtonte çështjen e Këshilltarit të Sigurisë Kombëtare dhe konkretisht: përse zoti Flynn e keqinformoi nënpresidentin Mike Pence rreth bisedave të tij telefonike me ambasadorin e Rusisë në Shtetet e Bashkuara në dhjetor.

“Arritëm në këtë pikë, jo bazuar në ndonjë çështje ligjore por për arsye besimi. Niveli i besimit mes presidentit dhe gjeneralit Flynn ishte përkeqësuar në atë pikë saqë ai mendoi se duhet të bënte ndryshim”, tha zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Sean Spicer.

Flynn tha fillimisht se nuk kishte biseduar me ambasadorin rus rreth sanksioneve kundër Rusisë.

Por në fund të janarit, Departamenti i Drejtësisë i tha Shtëpisë së Bardhë të kundërtën.

Por kishte edhe të tjera, megjithëse zoti Spicer nuk dha hollësi:

“Rënia e nivelit të besimit si rezultat i kësaj situate dhe një sërë rastesh të tjera, bëri që presidenti t’i kërkonte gjeneralit Flynn të jepte dorëheqjen.”

Shtëpia e Bardhë tha se këshilltari ligjor nuk zbuloi ndonjë shkelje dhe se zoti Trump nuk ishte në dijeni të diskutimeve që zoti Flynn kishte patur me ambasadorin rreth sanksioneve.

Flynn është kritikuar për lidhjet e tij të ngushta me Rusinë dhe presidentin Vladimir Putin.

Disa ligjvënës bënë thirrje për hetim të pavarur.

“Mendoj se ka shumë pyetje. Do të shohim se çfarë do të dalë. Pra në se do të ketë hetim zyrtar, e di që komuniteti i zbulimit po i shqyrton të gjitha këto çështje që përfshijnë Rusinë,” tha anëtari republikan i Kongresit, Peter King.

“Pikëpamja ime ka qënë gjithmonë se kjo administrate ka qënë shumë e afërt me rusët. Shumë e butë. Putini po përpiqet të përçajë Naton, ai po përpiqet të shkaktojë trazira në Bashkimin Evropian. Putini kërkon të minojë institucionet tona demokratike”, tha anëtari tjetër republikan i Kongresit, Charlie Dent.

Shtëpia e Bardhë thotë se ka qënë e ashpër me Rusinë.

“Presidenti Trump e ka bërë të qartë se pret që qeveria ruse të ulë dhunën në Ukrainë dhe të kthejë Krimenë. Në të njëjtën kohë, ai pret dhe kërkon të bashkëpunojë me Rusinë.”

Trump po shqyrton tani tre kandidatë për të zëvendësuar zotin Flynn.

Ndërkohë, udhëheqësit e senatit parashikojnë se ka shumë të ngjarë që Komisioni i Zbulimit të fillojë një hetim për të pare çfarë ka ndodhur.

XS
SM
MD
LG