Lidhje

FMN pas arrestimit të kreut Dominik Stros-Kan


FMN pas arrestimit të kreut Dominik Stros-Kan
FMN pas arrestimit të kreut Dominik Stros-Kan

Dominik Stros-Kan, duket qartë se nuk do të vazhdojë të jetë edhe për shumë kohë kreu i Fondit Monetar Ndërkombëtar. Sekretari amerikan i Thesarit Timoti Gaitner i bëri thirrje FMN-së të emërojë një drejtor të përkohshëm, ndërsa zoti Stros-Kan përballet me akuzat kundër tij. Ministrja austriake e Financave Maria Fekter tha se kreu i FMN-së duhet të japë dorëheqjen dhe të mos e dëmtojë më tej këtë institucion. Megjithatë, reagimet ishin të ndryshme gjatë takimit të BE-së për zgjidhjen e krizës ekonomike.

Në Bruksel, krerët e Bashkimit Evropian u takuan për të diskutuar politikat ekonomike, një takim ku do të merrte pjesë zoti Stros-Kan. Zyrtarët thanë se ishte herët për të thënë nëse zoti Stros-Kan duhet të largohet nga drejtimi i FMN-së.

“Hetimet po vazhdojnë sipas ligjit dhe nuk mendoj se është e përshtatshme që të marrim një qëndrim ndaj kësaj çështjeje tani,” tha Komisioneri Evropian për Financat Oli Ren.

Kreu meksikan i Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik, OECD, Angel Gurria tha se arrestimi i zotit Stros-Kan nuk ka ndikuar tek ekonomia evropiane dhe se bisedimet që përfshijnë FMN-në për një paketë të dytë ndihmash financiare për Greqinë po vazhdojnë.

“Mendoj se është situatë tragjike për kolegun tonë dhe nuk dua të komentoj. Por dua të them se tani nuk ka hapje të vendeve të punës dhe institucionet vazhdojnë të punojnë.”

Gjatë ditëve të ardhshme do të zhvillohen negociata ligjore dhe institucionale, ndërkohë që FMN-ja përpiqet ta zgjidhë krizën greke me sa më pak probleme. Megjithatë, zoti Stros-Kan mund të ketë një synim tjetër: mbajtja e postit si kreu i FMN-së mund të ketë avantazhe financiare për të, ndërsa dorëheqja mund të krijonte përshtypjen e fajësisë tek opinioni publik.

XS
SM
MD
LG