Lidhje

FMN, Banka Botërore theksojnë nevojën e bashkëpunimit mes ekonomive të botës

  • Mil Arcega
  • Uashington

FMN, Banka Botërore theksojnë nevojën e bashkëpunimit mes ekonomive të botës

FMN, Banka Botërore theksojnë nevojën e bashkëpunimit mes ekonomive të botës

Fondi Monetar Ndërkombëtarë dhe Banka Botërore theksuan nevojën e vazhdimit të bashkëpunimit mes ekonomive botërore, duke thënë se sistemi financiar botëror mund të pësojë goditje të tjera në të ardhmen. Këto paralajmërime vijnë ndërsa institucionet kryesuese të ekonomisë botërore po përgatiten për takimin e tyre të përvitshëm të pranverës, që zhvillohet gjatë fundjavës këtu në Uashington.

Ekonomia botërore përballoi goditjen më të madhe ekonomike, por Fondi Monetar Ndërkombëtar thotë se sistemi botëror financiar ende nuk ka dalë nga rreziku.

Drejtori i FMN-së Dominik Straus Khan paralajmëroi dje që vendet anëtare të mos bien në vetkënaqësi.

“Duket qartë se rimëkëmbja po bëhet më e fortë, por kushdo mund t’a kuptojë se kjo nuk është rimëkëmbja që ne duam”.

Fondi Monetar thotë se rritja e pabarabartë paraqet rreziqe të mëdha, me një zhvillim të ngadaltë të vendeve të përparuara dhe një zhvillim të shpejtë të vendeve në zhvillim.

“Sfidat kryesore për ekonomitë e reja në zhvillim kanë të bëjnë me rrezikun e një rritjeje tepër të shpejtë, ndërsa në vendet me të ardhura të ulta, problemi i çmimeve të ushqimit dhe karburantit është rikthyer sërish, duke paraqitur rrezikun e rikthimit të një situate të vështirë e të rëndë si në vitin 2008”.

Pavarësisht parashikimive për një rritje prej 4,5% të ekonomisë botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtarë thotë se rimëkëmbja nuk është shoqëruar me vende të reja pune. Zoti Straus Khan i referohet Tunizisë dhe Egjiptit- ku të dhënat tregojnë se ka rritje ekonomike por nuk ka patur mundësira për qytetarët.

Presidenti i Bankës Botërore Robert Zoellik thotë se kjo situatë ndikoi në revoltat popullore, që rezultuan në një paqëndrueshmëri të madhe.

“Një prej mësimeve të ngjarjeve në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut, është se teksa disa prej treguesve të rritjes ekonomike ishin të mirë, stabilitetit makro ekonomik nuk ishte i mjaftueshëm”.

Banka Botërore publikoi një raport të ri ditën e djeshme ku paraqiste ndikimin e protestave tek çmimet e ushqimeve. Zoti Zollek tha se rritja prej 36% e çmimeve të artikujve ushqimore që nga viti i kaluar, ka ndikuar në kalimin e 44 milion njerëzve në situatën e varfërisë. Ai paralajmëroi se një rritje prej 10% e çmimeve të ushqimeve do të çojë 10 milionë të tjerë në varfëri të skajshme.

“Shifrat tregojnë një panoramë të zymtë të një presioni të madh shtypës mbi shtreast e varfëra. Ne jemi të vetëdijshëm pse ndodh kjo: çmime të larta ushqimore, luhatje çmimesh dhe më pas ngritje e çmimeve të karburanteve, duke rezultuar në një kombinacion të rezikshëm, që shkakton trazira sociale”.

Këto komente vijnë teksa ministrat e financave nga e gjithë bota janë mbledhur në Uashington për takimin e përvitshëm të pranverës të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Takimet do të përqëndrohen në rimëkëmbjen ekonomike dhe hapat e nevojshëm për t’i dhënë një shtysë situatës financiare në botë.

XS
SM
MD
LG