Lidhje

FMN, rritja ekonomike e Shqipërisë 0,5 përqind

  • Armand Mero

Ministri shqiptar i Financave flet për një rritje 3 përqind. Fondi kërkon kujdes me nivelin e lartë të borxhit publik. “Të ardhurat nga privatizimet, për uljen e borxhit”

Në Shqipëri një mision i Fondit monetar tha sot se rritja ekonomike për 2012 do të jetë në 0,5 përqind, dhe 1,3 përqind në 2013. Por parashikimi i bërë nga kreu i misionit për Shqipërinë Nadeen Ilahi, në përfundim të dy javëve bisedime me autoritete shqiptare, ishte tejet larg shifrës prej 3 përqind të deklaruar nga ministri shqiptar i Financave Ridvan Bode. Fondi monetar parlajmëroi për rreziqet e nivelit të lartë të borxhit publik duke sugjeruar që të ardhurat nga privatizimet të shkojnë në radhë të parë për uljen e tij

Misioni i fondit monetar vlerësoi ecurinë e ekonomisë shqiptare e cila nuk shënoi recession dhe mundi të mbajë edhe në kushtet e krizës një rritje pozitive, ndryshe nga ekonomitë e tjera të rajonit, “por vazhdimi i krizës në eurozonë dhe paqëndrueshmëria po provokon goditje të tjera që po i transmetohen edhe Shqipërisë dhe rritja ekonomike po ngadalësohet. Kjo i dedikohet së pari lidhjes së ngushtë tregtare me Italinë e Greqinë dy nga vendet më të prekura. Ne vlerësojmë se rritja ekonomik do jetë 0,5 përqind ndërsa vitin e ardhshme 2013 do të ketë një rritje të lehtë dhe rritja ekonomike do të jetë në 1,3 përqind”, deklaroi kreu i misionit të Fmn për Shqipërinë Nadeen Ilahi.



Nuk është hera e parë që parashikimet e Fondit janë disa herë më pesimiste se ato të autoritetve shqiptare: "Rritja ekonomike, sic kemi shpallur prej disa muajsh, nuk do të jetë në përputhje me objektivin e fillimvitit prej 4,3 përqind, por mendojmë se do të jetë një rritje ekonomike prej 3 përqind, një rritje e zvogëluar krahasuar me objektivin e që do të bazohet në një rritje modeste të kërkesës së brendshme"., tha ministri shqiptar i Financave Ridvan Bode.

Duke analizuar sfidat që ka përpara ekonomia shqiptare, shefi i misionit të Fondit, Nadeen Ilahi tha se vendi duhet të bëjë kujdes me nivelin e lartë të borxhit, mbajtja e të cilit në nivelin e 60 përqind sipas tij ka qenë sfiduese pasi ka cuar në rritjen e deytrimeve të prapambetura dhe uljen e shpenzimeve kapitale, apo të investimeve nga ana e qeverisë.Por Ministri i Financave tha se niveli I borxhit do të vazhdojë të mbetet në këto kuota: "Borxhi publik shqiptar duke qenë më I larti në rajon është njëkohësisht nga më pak të dëmshmit dhe më pak të rrezikshëm sepse shërbehet me instrumenta tërësisht të brendshëm dhe përmes kredive të zhvillimit nga Bankat e zhvillimit, afatgjata dhe me norma të ulta interesi".

Sipas Fondit një nivel i lartë përbën kërcënim për ekonominë shqiptare dhe në kushtet kur qeveria ka vendosur ta mbajë në kuotat e 60 përqindshit edhe në të ardhmen kjo sipas shefit të misionit "do të kërkojë edhe përpjekje për rritjen e të ardhurave dhe kufizimin e shpenzimeve, sidomos atyre korrente apo dhe hapat e para të reformës në fushën e pensioneve. Ne mendojmë se shpenzimet kapitale kanë qenë të luhatshme dhe duhet të ruajnë një nivel të lartë apo të rriten mundësisht, për të mbështetur nevojat për një rritje ekonomike afatgjatë".

Por duket se barka e shpëtimit nuk do të jenë manovrat fiskale, por të ardhurat e pritshme nga privatizimet. 850 milionët e ofruara për Albpetrolin do të ishin oksigjen i mjaftueshëm për të normalizuar frymëmarrjen ekonomike. Fondi monetar sugjeron që ato të shkojnë së pari në reduktimin e borxhit: "Sipas pikëpamjes tonë në situatën e një borxhi të lartë do të ishte ideale që së pari të ardhurat nga privatizimet duhet të shkojë në reduktimin e borxhit. Duhet zgjidhur edhe cështja e detyrimeve të prapambetura ndaj kontraktorëve. Kjo do ti japë likuiditet firmave por do të ndihmojë që ato të shlyejnë kreditë që kanë ndaj bankave".

Në këtë pikë mes palëve nuk kishte dallime, edhe ministri Bode tha se ato do të shkojnë gjithashtu për të nxitur rritjen ekonomike dhe për të trajtuar disa cëhstje të buxhetit ndoshta që të këtij viti.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG