Lidhje

F.M.N.: "Shqipëria po i kthehet qëndrueshmërisë fiskale".


Fondi Monetar Ndërkombëtar deklaroi në Tiranë se qeveria i ka kryer reformat strukturore dhe rezultatet fiskale të parashikuara në marrëveshjen e përbashkët për tre muajt e parë të këtij viti. Misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar pohoi se qeveria shqiptare i ka përmbushur plotësisht të gjitha kërkesat e marrëveshjes dypalëshe për këtë periudhë.

Shefi i Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar për Shqipërinë, Nadeem Ilahi, tha në fund të një kontrolli periodik se pas një 2013 të dobët, rritja ekonomike e Shqipërisë këtë vit do të shkojë mbi 2% prej rritjes së prodhimit vendas, të rritjes së kërkesës për konsum dhe rritjes së eksporteve.

“Qeveria filloi të shlyejë detyrimet e prapambetura sipas planit të bashkëpunimit dhe ecuria fiskale ka qenë e mirë” - tha ai. Zoti Ilahi tha se kreditimi ende i ulët është një problem në Shqipëri, sepse bankat nuk marrin përsipër rriskun e mbështetjes së investimeve. Por, sipas tij, politika monetare duhet të mbështesë rritjen ekonomike, ndërkohë që edhe reforma e pensioneve është në rrugën e duhur.

Megjithatë ai tha se veprimtaria ekonomike në Shqipëri është ende e dobët dhe nën potencialin e vet. Përfaqësuesi i misionit të FMN-së tha se një nga rreziqet më të mëdha fiskale për Shqipërinë është energjia elektrike sepse arkëtimi i faturave është shumë i ulët dhe humbjet energjisë në rrjet janë të mëdha. Një rrezik tjetër për qëndrueshmërinë fiskale, sipas tij, është edhe kthimi dhe kompensimi i pronave.

“Qeveria ka bërë një përparim të konsiderueshëm me reformat, duke filluar që nga dhjetori, po ashtu e ka përmirësuar klimën e biznesit dhe qëndrueshmërinë fiskale” - tha zoti Ilahi, duke kujtuar se bordi i F.M.N.-së e miraton nga fundi i qershorit këtë raport kontrolli duke liruar këstin e kredisë së radhës 26,5 milion euro për Shqipërinë.

Ndërsa ministri i financave Shkëlqim Cani pohoi se viti i kaluar ishte më i vështiri për ekonominë shqiptare; rritja ekonomike ishte vetëm 0.4%, ndërsa besueshmëria e bizneseve dhe konsumatorit arriti pikat më të ulëta.

“Për të përmirësuar besueshmërinë e bizneseve dhe konsumatorëve, një prej angazhimeve të qeverisë në periudhën afatshkurtër ka qenë shlyerja sa më shpejt e detyrimeve të prapambetura ndaj biznesit. Deri më sot, janë shlyer rreth 200 milionë USD në formën e pagesës së drejtpërdrejtë dhe netimit të faturave në sektorin e energjisë” - tha zoti Cani.

Shlyerja e borxheve është ndër sfidat kryesore. Të ardhurat nga tatimet dhe doganat u rritën 12% nga një vit më parë, dhe ekonomia ka filluar të reagojë pozitivisht, tha zoti Cani.

“Rishikimi i parë i programit doli me objektiva strukturore të realizuara. Por të jemi të sinqertë: kemi ende rrugë për të bërë. Janë rritur eksportet. Ka përmirësime në importin e makinerive. Ka rritje të të ardhurave nga doganat dhe tatimet. Këta tregues mbështesin atë që është projektuar rritja ekonomike është premtuese afërsisht 2,1%”. - tha ministri Cani.

F.M.N.-ja nisi këtë radhë të diskutojë me qeverinë shqiptare edhe projekt-buxhetin e vitit 2015, në mënyrë që të dyja palët të përmbushin objektivat afatmesme për qëndrueshmërinë ekonomike dhe shlyerjen e borxhit.

XS
SM
MD
LG