Lidhje

FMN-ja e shqetësuar për situatën në Rumani


Përfaqësuesi i Fondit Monetar Ndërkombëtarë për Rumaninë ka paralajmëruar se lufta e brendshme politike mund të ndikojë negativisht në rimëkëmbjen ekonomike të vendit. Rumania votoi në një referendum për të përcaktuar përmes votës popullore nëse duhet të largohet nga detyra presidenti i vendit ose jo. Gjykata Kushtetuese e Rumanisë tha të enjten se do të shpallë në 12 shtator vendimin për vlefshmërinë ose jo të referendumit që u zhvillua më 29 korrik.

Përfaqësuesi i Fondit Monetar Ndërkombëtarë për Rumaninë Erik de Vrijer tha sot në një takim në Bukuresht me presidentin e përkohshëm të vendit se konflikti i brendshëm politik po dëmton marrëdhëniet ndërkombëtare ekonomike të vendit:

“Gjatë këtyre viteve të fundit Rumania ka bërë përparim në rimëkëmbjen nga kriza financiare e pak viteve më parë dhe ekonomia ka bërë përpara për stabilizimin e inflacionit e situatën buxhetore, por trazirat e fundit në vend kanë rënduar mbi ekonominë”.

Presidenti i përkohshëm i Rumanisë Crin Antonescu e ka siguruar zotin de Vrijer se qeveria e Rumanisë nuk do të lejojë që kjo situatë të ndikojë në negociatat që vendi i tij ka me institucionet ndërkombëtare.


“Kriza politike nuk ndikon në bisedimet që kemi me Fondin Monetar, Bashkimin Europian dhe Bankën Botrore sepse qeveria ka një program politik, është e angazhuar dhe ka një vizion.”

Gjykata Kushtetuese e Rumanisë tha të enjten se do të shpallë në 12 shtator vendimin për vlefshmërinë ose jo të referendumit për largimin e presidentit Traian Basescu.
Shtyrja e vendimit të Gjykatës Kushtetuese shihet si lëvizja e fundit e betejës së ashpër politike mes qeverisë së majtë dhe presidentit, i cili i përket qendrës së djathtë.

Njoftimi i së enjtes i i Gjykatës Kushtetuese solli rënien e vlerës së monedhës vendase Leu në nivelet më të ulëta të të gjitha kohërave.

Ndonëse 88% e rezultateve të votimit të 29 korrikut ishin për largimin presidentit Bosesku nga detyra, zyrtarët thanë se duhet më parë të përcaktohet vlefshmëria e referendumit pasi pjesmarrja nuk ka arritur në 50% të votuesve. Qeveria e kryeministrit Victor Ponta, e cila u përpoq që të largonte nga detyra presidentin Basescu, tani sugjeron se mund të jetë kapur kufiri i duhur prej 50% të votuesve në referendum.
Që nga periudha e referendumit, Crin Antonescu, gjithashtu kundërshtar politik i presidentit Basescu, ka shërbyer si president i përkohshëm i vendit.
Bashkimi Europian e ka kritikuar përpjekjen e kryeministrit Ponta për të larguar nga posti presidenitn Basescu, duke i quajtur metodat e tij jo plotësisht demokratike.

XS
SM
MD
LG