Lidhje

FMN: Kriza globale financiare është lehtësuar


Pavarësisht nga rimëkëmbja e pabarabartë e ekonomive të zhvilluara dhe atyre në zhvillim, krerët e Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar thonë se kriza globale financiare është lehtësuar ndjeshëm. Por këto institucione globale financiare thonë se vendet anëtare duhet të bëjnë më shumë për të nxitur një rritje të qëndrueshme ekonomike.

Ekonomia botërore po rritet me një ritëm pak më të ngadaltë se parashikimet fillestare të FMN-së në janar. Por zyrtarët e lartë financiarë që u mblodhën në Uashington për takimet vjetore të pranverës po ndeshen me një pasqyrë ekonomike më pak kërcënuese, thotë drejtorja e FMN-së Christine Lagarde.

“Statistikat na bëjnë të besojmë se kemi shmangur skenarin më të keq dhe tani ekonomia botërore nuk duket në rrezik aq të madh sa ç’kishim menduar”.

Por Lagarde tha se përmirësimi i situatës financiare në Amerikë, Evropë dhe Japoni ende nuk është shndërruar në një rimëkëmbje të qëndrueshme.

“Në eurozonë, politikëbërësit kanë arritur një marrëveshje të madhe brenda një kohe të shkurtër. Përparësi tani është rregullimi i sistemit të paqëndrueshëm bankar, duhet të krijohet një bashkim bankar. Japonia kohët e fundit ka njoftuar një kornizë ambicioze të lehtësimit monetar që nga këndvështrimi ynë është një hap pozitiv. Por kjo nuk mjafton”.

Të premten, ministrat e financave nga 20 ekonomitë më të mëdha të botës miratuan përpjekjet e Japonisë për të rritur ekonominë e saj e cila tani është në stanjacion. Por paketa stimulese e miratuar nga udhëheqësit e Japonisë e ul vlerën e jenit duke i dhënë produkteve japoneze një avantazh në aspektin e çmimeve në tregjet botërore. Në një komunikatë zyrtare, vendet e G-20-tës thanë se do të monitorojnë efektet e politikave të Japonisë dhe nëse është e nevojshme do të ndëmarrin veprime korrigjuese.

Vëmendje e madhe është përqendruar edhe ndaj Kinës, e cila në tremujorin e parë ka patur një rritje ekonomike më të dobët se ç’pritej. Por, Presidenti i Bankës Botërore Jim Yong Kim tha se nuk është i shqetësuar për këtë.

“Ne kemi punuar me Kinën rreth një raporti për vitin 2030 lidhur me strategjinë për të ardhmen. Dhe mendojmë se udhëheqja kineze është e përqëndruar në hedhjen e themeleve për masat që do të krijojnë rritje ekonomike në të ardhmen”.

Politikbërësit kryesorë botërorë të sektorit financiar gjithashtu pritet që të analizojnë efikasitetin e politikave të pakësimit të borxhit në mbarë botën. Disa ekonomistë thonë se masat shtrënguese, në veçanti ato në Evropë, kanë ndihmuar për uljen e barrës së borxhit në disa vende në kurriz të rritjes ekonomike.
XS
SM
MD
LG