Lidhje

Greqia do t’i paguajë FMN-së një këst të borxhit deri të enjten


Pas bisedimeve me ministrin grek të financave, Yanis Varoufakis, drejtoresha e FMN-së, Christine Lagarde, u shpreh në një deklaratë për shtyp se “e mirëpret konfirmimin” që Greqia do të kryejë një pagesë deri të enjten.

Zoti Varoufakis tha se Greqia “synon të përmbushë të gjitha detyrimet ndaj kreditorëve të saj”.

“Patëm një diskutim frutdhënës dhe shumë produktiv në lidhje me propozimet e Greqisë për reforma. Qeveria jonë është një qeveri reformiste. Jemi të vendosur ta reformojmë Greqinë thellësisht; ky ka qenë premtimi ynë për popullin grek, dhe është një hap i shkëlqyer përpara mundësia që patëm për ta diskutuar programin e reformave tona me drejtoren e FMN-së,” tha zoti Varoufakis.

FMN-ja dhe Bashkimi Evropian kanë kërkuar që udhëheqësit grekë të ndërmarrin shkurtime të forta të shpenzimeve dhe të zbatojnë reforma të gjera në këmbim të më shumë fondeve.

Analistët patën spekulluar se qeveria e re majtiste e Greqisë, e cila trashëgoi një ekonomi të brishtë, nuk do t’ia dilte të paguante kreditorët dhe të vazhdonte shpenzimet për programet sociale.

Zonja Lagarde tha se së bashku me zotin Varoufakis, ranë dakord se bashkëpunimi efektiv është në interesin e të gjithëve dhe se zgjatja e pasigurisë nuk është në interesin e Greqisë.

XS
SM
MD
LG