Lidhje

FMN i kërkon Shqipërisë të ulë borxhin publik si “përparësi e ngutshme”


FMN i kërkon Shqipërisë të ulë borxhin publik si “përparësi e ngutshme”

FMN i kërkon Shqipërisë të ulë borxhin publik si “përparësi e ngutshme”

FMN i kërkoi Shqipërisë që të ulë borxhin publik, dhe ta shohë këtë cështje si një përparësi të ngutshme. Shefi i misionit të FMN, Gervin Bell, deklaroi në Tiranë në mbyllje të vizitës dyjavore se edhe tani financat shqiptare janë përsëri në një situatë të ngjashme me atë të vitit të kaluar, ku buxheti ndodhet nën presion. Në një konferencë të përbashkët me ministrin e financave, Ridvan Bode, dhe me guvernatorin e Bankës Qendrore, Ardian Fullani, përfaqësuesi i FMN tha se rekomandimi kryesor

për këtë vit në vazhdim është shkurtimi i buxhetit me 20 milionë dollarë, dhe kjo është një përparësi e ngutshme.

“Rekomandimi ynë i parë - tha zoti Bell - është që këtej e tutje hartimi i buxhetit të vendoset në parametra realistë. Vitet e fundit buxheti është bazuar në parashikime optimiste, dhe do të ishte mirë që ai të bëhet me më shumë realizëm që në fillim, në mënyrë që të mos bëhen shkurtime në mes të vitit”. Sipas tij, një buxhet realist mund të hartohet ose duke ia lënë në dorë një instituti të pavarur dhe jopolitik, ose buxheti të bëhet në përputhje me parashikimet që bëjnë institucionet e pavarura ndërkombëtare.

“Nëse dalin para shtesë, ato duhen përdorur për reduktimin e borxhit - tha zoti Bell. - Nëse ka të dhëna negative, atëherë duhen bërë shkurtime. E rëndësishme është që procesi i buxhetimit të vendoset mbi një rregull të saktë dhe një nga rregullat do të ishte objektivi për uljen e borxhit”. Sipas tij, Shqipëria i ka mundësitë që të ulë borxhin publik nga afro 60 për qind sa është sot në 50 për qind për një afat 5 vjet. Për këtë duhen ulur shpenzimet, dhe pagat të mbahen konstante në terma realë. Mbledhja më e mirë e sigurimeve shoqërore do të ulë deficitin e skemës së pensioneve.

“Niveli 60 për qind i borxhit në raport me GDP - tha zoti Bell - është një maksimum për vendet e zhvilluara me pjesëmarrje të gjerë në tregjet ndërkombëtare, por për vende në zhvillim e sipër si Shqipëria ky është një nivel shumë i lartë dhe duhet të nisë që të ulet. Nuk ka rëndësi nëse do të zbresë në 52 apo në 48, synimi është që kjo shifër të ulet”.

FMN thotë se rritja ekonomike e Shqipërisë në 2010 ishte 3.5 për qind, ndërsa për këtë vit parashikimi është 2.7 për qind. FMN ka vlerësuar rezistencën që bëri ekonomia shqiptare vitet e fundit ndaj krizës ekonomike botërore. Shqipëria e përballoi mirë krizën botërore, - thotë FMN - dhe në viti 2010 shënoi rritje ekonomike ndër më të lartat në rajon. Sistemi financiar ishte i qëndrueshëm dhe nuk u mbështet nga fondet publike. Inflacioni është kontrolluar në kufijtë e parashikuar dhe ka nisur të ndihet një eksportim në rritje.

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG