Lidhje

Tiranë, përfundon misioni i FMN-së


Konfirmohet parashikimi për një rritje ekonomike 3 përqind në 2015. Ministri i Financave njofton për emetimin e eurobondit 300 milion euro, dhe marrjen e një borxhi 250 milion euro në tregjet ndërkombëtar

Në Shqipëri misioni i Fondit monetar ndërkombëtar i cili diskutoi për dy javë me autoritetet e vendit lidhur me zbatimin e marrëveshjes së përbashkët tha sot se parashikimi i rritjes ekonomike për 2015 mbetet ai për një nivel prej 3 përqindësh. Drejtuesi i misionit Nadeem Illahi dhe përfaqësuesit e qeverisë dhe Bankës qëndrore shqiptare u shprehën të kënaqur për ecurinë e deritanishme të parametrave ekonomik, ndërsa ministri i Financave Shkëlqim Cani njoftoi se në muajt maj-qershor, qeveria pritet të emetojë eurobondin 300 milion eurosh si dhe të marrë në tregjet ndërkombëtare, një borxh prej 250 milion eurosh, me garanci nga Banka Botërore.

Pavarësisht risqeve të jashtme apo dhe ndikimit të përmbytjeve të muajit të shkuar, parashikimet për rritjen e ekonomisë shqiptare mbeten të pandryshuara. Drejtuesi i misionit të FMN-së, Nadeem Illahi tha se “programi ekonomik i Shqipërisë po ecën sipas planit” dhe se “shkalla e rritjes ekonomike parashikohet të vazhdojë rimëkëmbjen e moderuar në vitin 2015. Objektivi prej tre përqindësh është i arritshëm, pavarësisht përmbytjeve të kohëve të fundit dhe ngadalësimit në sektorin e naftës. Rritja ekonomike do të nxitet nga rimëkëmbja e qëndrueshme e kërkesës së brendshme, duke përfituar nga çmimet e ulëta të naftës dhe norma të ulëta interesi, si edhe nga një rritje graduale e huadhënies bankare. Të gjitha këto tregojnë se rimëkëmbja do të jetë ashtu sic kishim parashikuar më parë”, u shpreh Illahi.

Nga ana e tij guvernatori i Bankës Qëndrore Genti Sejko vuri theksin në nevojën e rritjes së konkurrueshmërisë së ekonomisë shqiptare dhe thellimin e reformave strukturore: “Në afat të shkurtër, rritja e konsumit dhe e investimeve private janë të mjaftueshme për të gjeneruar impulset fillestare të rritjes ekonomike, por rritja afatgjatë e ekonomisë shqiptare duhet të gjejë mbështetje më të madhe nga përmirësimi i profilit të saj konkurrues dhe nga rritja e eksporteve. Për këtë arsye, ne gjykojmë se përshpejtimi i reformave strukturore ka një rol të pazëvendësueshëm për mbështetjen e rritjes ekonomike”.

Autoritetet shqiptare shpjeguan se kanë rënë dakort që të ndërmarrin hapa konkretë për të ulur nivelin e kredive të këqija, që mbeten në kuotat e mbi 24 përqind të të gjithë portofolit të kredisë e që përbën një ndër pengesat kryesore të huadhënies në favor të ekonomisë.

Ndërkohë qeveria shqiptare do t’i drejtohet tregjeve të huaja për të marrë borxh. Nga njëra anë do të emetohet një Eurobond prej 300 milion euro, i dyti pas atij të 5 viteve më parë. “Në muajt e ardhshëm, ndoshta maj-qershor, kemi pritshmëri për të emetuar eurobondin e ri. Pra, 300 milion maturohen në nëntor, 300 milion do të marrim përsëi. Për pasojë niveli i borxhit nuk rritet", deklaroi ministri i Financave Shkelqim Cani.

Nga ana tjetër, në muajin qershor, me një garanci nga Banka Botërore, do të merret një borxh prej 250 milion eurosh, i cili, sic shpjegoi ministri Cani është “një hua që ka interesa relativisht më të ulta, sepse garantohet nga Banka Botërore. Edhe në këtë rast nuk bëhet fjalë për rritje borxhi. E gjithë kjo shumë prej 250 milion euro, thjesht do të merret në tregun ndërkom bëtar dhe jo në atë lokal”.

Sipas ministrit të Financave një veprim i tillë ndërmerret për t’i lënë më shumë mundësi bankave në vend që të kreditojnë ekonominë.

Pas përfundimit të bisedimeve më FMN, do të jetë bordi i këtij të fundit që nga mesi i këtij viti do të duhet të miratojë rishkimin e katërt të programit të përbashkët e të vendosë lëvrimin e mbi 37 milion eurove, kësti i radhës i marrëvëshjes tre vjecare me qeverinë shqiptare.

XS
SM
MD
LG