Lidhje

FMN miratoi një kredi të re për Kosovën


Fondi Monetar Ndërkombëtar miratoi një kredi prej 140 milion dollarësh, afërisht 107 milion euro, për Kosovën, në kuadër të një programi 20 muajsh, që do të lehtësojë trysninë fiskale të Kosovës.

Ky vendim pasoi një marrëveshje të qeverisë së Kosovës dhe Fondit Monetar Ndërkombëtarë të arritur në fillim të muajit mars. Marrëveshja shënoi një përmirësim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe këtij fondi, të cilat pësuan një tronditje vitin e kaluar.

Në qershor të vitit 2011 Fondi Monetar Ndërkombëtar njoftoi se ishte ndërprerë marrëveshja e korrikut të vitit 2010 që kishte për qëllim “të rivendosë qëndrueshmërinë fiskale dhe të ruajë qëndrueshmërinë financiare duke ushtruar kufizime në shpenzime dhe duke rritur depozitat e Qeverisë në Bankën Qendrore të Kosovës.

Me këtë qëndrim Kosova pati mundësi të ketë qasje në fondin e premtuar prej 156 milion eurosh nga FMN, Banka Botërore dhe Komisioni Evropian. Mospajtimet qenë thelluar për shkak të vendimit të qeverisë së Kosovës për rritjen e pagave për punonjësit e sektorit publik deri në 50 për qind.

Fondi monetar paralajmëroi se Kosova, duke qenë e lidhur me eurozonën, përballet me rrezikun e trysnive të jashtme, nëse nuk i forcon shpejt financat e saj. Kosova shpalli pavarësisë në shkurt të vitit 2008, ndërsa në qershor të vitit 2009 ajo u bë anëtare e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore.

Anëtarësimi është vlerësuar me rëndësi për rimëkëmbjen ekonomike të Kosovës e cila përballet me shkallë të lartë të papunësisë dhe ritme të larta varfërie.

XS
SM
MD
LG