Lidhje

FMN premton ndihmë për Ukrainën


Fondi Monetar Ndërkombëtar nënshkroi një marrëveshje me Ukrainën për një hua prej18 miliardë dollarësh. Por Ukraina duhet të kryejë reforma të thella ekonomike në shkëmbim të ndihmës. Që të hyjë në fuqi marrëveshja me FMN-në, Parlamenti ukrainas duhet të pranojë kushtet e saj.

Fondi Monetar Ndërkombëtar nënshkroi një marrëveshje me Ukrainën, e cila synon ta ndihmojë ish-republikën sovjetike të zhytur në borxhe të stabilizojë ekonominë pas protestave anti-qeveritare, që çuan në rrëzimin e presidentit Viktor Yanukovich dhe një krizë në marrëdhëniet me Moskën, e cila si reagim, aneksoi rajonin e Krimesë.

FMN-ja thotë se paketa e ndihmës me vlerën e 14 deri 18 miliardë dollarëve do të shoqërohet me kontribute nga komuniteti ndërkombëtar, duke e çuar këtë shifër në gjithsej 27 miliardë dollarë. Kjo ndihmë për Ukrainën në dy vitet e ardhshme, synon ta ndihmojë këtë vend të paguajë borxheve, dhe shoqërohet me masa që mund të jenë të dhimbshme për popullin ukrainas dhe qeverinë e vendit, në një periudhë krize dhe pasigurie.

Kryeministri i Ukraninës Arseniy Yatsenyuk, e njoftoi nënshkrimin e marrëveshjes në paralament.

Ai tha se vendi ndodhet në prag të falimentimit “ekonomik dhe financiar” dhe se masat e ashpra ekonomike të kërkuara nga FMN-ja janë të nevojshme:

“Në se nuk zbatojmë masat e kërkuara nga FMN-ja, ekonomia mund të tkurret me 10 për qind këtë vit.”

Zoti Yatsenyuk i paralajmëroi ligjvënësit për pasojat që mund të ketë ekonomia e Ukrainës për shkak të rritjes së çmimit të gazit nga Rusia:

“Dyfishimi i çmimit të gazit do të sjellë shumë vështirësi për ekonominë dhe popullin e Ukrainës. Ky është çmimi që po paguajmë ne për pavarësinë e vendit.”

Veç miratimit të marrëveshjes nga Parlamenti, që të hyjë në fuqi ajo duhet të miratohet edhe nga drejtuesit e FMN-s dhe nga Bordi Ekzekutiv i organizatës, që do ta marrë atë në shqyrtim muajin e ardhshëm.
XS
SM
MD
LG