Lidhje

FMN: Rusia të pakësojë varësinë e të ardhurave nga nafta

  • Zëri Amerikës
  • Uashington

FMN: Rusia të pakësojë varësinë e të ardhurave nga nafta

FMN: Rusia të pakësojë varësinë e të ardhurave nga nafta

Shefja e Fondit Monetar Ndërkombëtar thotë se Rusia, prodhuesja më e madhe e naftës në botë, duhet të pakësojë vartësinë e saj nga të ardhurat e naftës dhe të diversifikojë ekonominë, në mënyrë që të garantojë stabilitet.

Drejtoresha menaxhuese e FMN-së, Kristinë Lagard tha sot në Moskë se megjithëse gjatë viteve të fundit Rusia ka vënë në zbatim reforma fiskale, ende ndeshet me kërcënime të dukshme. Ajo tha se deficiti buxhetor i vendit, duke përjashtuar të ardhurat nga nafta, është rritur më tepër se trefish. Rusia, shtoi zonja Lagard, duhet veprojë për të krijuar një ekonomi më vitale dhe të diversifikuar.

Rusia nuk arriti të përmbushë detyrimet e borxhit dhe zhvlerësoi paranë e saj në vitin 1998, kur u gjend përballë një krize ekonomike që u pa pjesërisht si rezultat i rënies së çmimit të naftës.

Zonja Lagard tha se Rusia duhet të krijojë një klimë më pozitive për investimet, gjë që kërkon reforma në strukturën ekonomike. Ajo u shpreh se ndryshimet në ekonomi do t’i jepnin Rusisë rritje afat-gjatë dhe do të krijonin vende të mjaftueshme pune për popullatën e saj.

Shefja e FMN-së nënvizoi se megjithëse udhëheqësit evropianë miratuan muajin e kaluar një plan për të zgjidhur krizën e borxheve në BE, “bota po vuan nga një mungesë kolektive besimi”. Ajo shtoi se nëse nuk vihet nën kontroll kjo krizë, ekonomitë që kanë lidhje me Evropën, përfshirë Rusinë, do të goditen rëndë nga rënia e eksporteve dhe strese të reja financiare.

Zonja Lagard paralajmëroi se rajoni “duhet të përgatitet për çdo stuhi të mundshme” dhe se nuk ka vend për vetëkënaqësi. Kërcënimi, theksoi ajo, është tepër i madh.

XS
SM
MD
LG