Lidhje

FMN: sfidat kryesore të ekonomisë shqiptare borxhi i madh publik, zhvillimi i ngadaltë dhe ndikimet negative rajonale

  • Zëri Amerikës

FMN: sfidat kryesore të ekonomisë shqiptare borxhi i madh publik, zhvillimi i ngadaltë dhe ndikimet negative rajonale

FMN: sfidat kryesore të ekonomisë shqiptare borxhi i madh publik, zhvillimi i ngadaltë dhe ndikimet negative rajonale

Në një raport ku analizon gjendjen e ekonomisë së Shqipërisë, Fondi Monetar Ndërkombëtar thekson se Shqipëria e ka përballuar mirë krizën globale falë politikave të shëndosha financiare të miratuara gjatë viteve para krizës, të cilat ofruan hapësira për të zbutur efektet e saj. Sistemi financiar, thotë FMN-ja, përballoi stresin e shtuar në periudhën menjëherë pas krizës dhe arriti të shmangë dështimin e sistemit të kreditimit, megjithëse cilësia e burimeve financiare shqiptare u ul.

Situata pas krizës, thekson FMN, paraqet sfida të rëndësishme. Sipas Fondit Monetar, rritja ekonomike pritet të jetë rreth 2,5 përqind këtë vit, një ngadalësim nga 3 përqind që ishte në vitin 2009 dhe 2010. Të ardhurat buxhetore në mënyrë të përsëritur nuk janë realizuar, thekson FMN-ja, duke çuar në shkurtime të mëdha gjatë rishikimeve gjashtë mujore të buxhetit si në vitin 2010 edhe në 2011, ndërkohë që borxhi publik po i afrohet kufirit prej 60 përqind të Prodhimit të Përgjithshëm të Brendshëm (GDP).

FMN-ja thotë se situata politike në vend mbetet e përçarë duke kërcënuar arritjen e konsensusit për reformat, përfshirë ato që nevojiten për të siguruar statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian. Shqipëria, thekson FMN-ja, ndeshet me rreziqe afat-shkurtëra duke patur parasysh ekspozimin e madh ndaj vendeve në periferi të eurozonës. Marrja e masave paraprake, duke patur parasysh zhvillimet në periferi të eurozonës, është thelbësore për të ruajtur qëndrueshmërinë financiare, ndërkohë që në të njejtën kohë Shqipëria duhet të zgjidhë sfidat kritike të reformave strukturore.

Sipas FMN-së, sfidat kryesore me të cilat përballet ekonomia shqiptare janë borxhi i madh publik, rritja e ngadaltë e prodhimit dhe ndikimet negative rajonale. Marrja e masave papraprake dhe të qendrueshme, është e nevojshme për të siguruar qendrueshmërinë fiskale, për të ruajtur stabilitetin financiar dhe përmirësuar mjedisin e investimeve. Sipas FMN-së, përparësia afat-shkurtër dhe afat-mesme për Shqipërinë është konsolidimi i buxhetit.

FMN-ja i bën thirrje autoriteteve shqiptare të miratojnë një strategji të besueshme për pakësimin e borxheve. FMN-ja thekson se një kornizë më e mirë makroekonomike e bazuar në përllogaritje më realiste të të ardhurave, do të ndihmonte në shmangien e mosrealizimeve të përsëritura buxhetore të së kaluarës.

XS
SM
MD
LG