Lidhje

FMN: rritja në 2014 në 2 përqind


Shqipëri, në përfundim të bisedimeve me autoritetet, misioni I FMN-së u shpreh se mbështeste reformat dhe politikat e ndërmarra. Përfundon rishikimi i dytë e i tretë i marrëveshjes, pritet lëvrimi i 53 milion eurove të tjera

Në Shqipëri Fondi Monetar Ndërkombëtar rikonfirmoi parashikimet e tij se rritja ekonomike për vitin 2014 pritet të jetë rreth dy përqind. Kjo u deklarua nga drejtuesi i misionit të Fondit Monetar Nadeem Ilahi në përfundim të bisedimeve me autoritetet shqiptare përgjatë tetë ditëve. Zoti Ilahi njoftoi se programi ekonomik kishte ecur sipas planit dhe se misioni do t’I kërkojë bordit të Fondit Monetar miratimin e rishikimit të dytë dhe të tretë të marrëveshjes gjë e cila do të cojë në lëvrimin e 53 milion eurove të tjera, pjesë e huasë prej afër 330 million euro të parashikuar për një periudhë tre vjecare.

“Paketa e politikave ekonomike ka qenë në rrugën e duhur dhe Fondi Monetar sheh me optimizëm ecurinë e tyre edhe në të ardhmen” vlerësoi drejtuesi i misionit Nadeem Ilahi, i cili mbërriti në Tiranë javën e shkuar. Ai deklaroi mbrëmë, në përfundim të komsultimeve më autoritetet shqiptare, se i qëndronte të njejtave parashikime sipas të cilave “rritja ekonomike pritet të jetë rreth 2 përqind. Kjo rritje – shpjegoi ai - ka ardhur kryesisht nga rritja e eksporteve, prodhimit të naftës, dhe shlyerja e detyrimeve dhe nga një rimëkëmbje modeste e kërkesës së brendshme”.

Për të njejtën pritshmëri foli edhe ministri shqiptar i Financave Shkëlqim Cani, ndërkohë që ministri i Ekonomisë Arben Ahmetaj ishte pak më optimist dhe sipas tij do të ishte e mundur që rritja ekonomike të ishte në nivelet e 2.1 e 2.2 përqind. E vetmja që ju shmang një deklarimi më shifra të parashikimit për ecurinë e aktivitetit ekonomik ishte zëvendës guvernatorja e Bankës së Shqipërisë, Elizabeta GJoni e cila aktualisht është drejtuesja e këtij institucioni në mungesë të guvernatorit. Në fakt Banka është shprehur publikisht, në raportin e politikës monetare për tremujorin e tretë, se sipas të vlerësimeve të saj “ rritja ekonomike e këtij viti do të jetë lehtësisht mbi nivelin e regjistruar një vit më parë”, pra pak më shumë se 0.4 për qind. Në pjesën e parë të vitit ekonomia u rrit me afër 1 përqind, pas 1.7 përqind në tremujorin e parë dhe rritjes negative me -0.6 përqind në tremujorin e dytë. Në mënyrë që të arrihet objektivi prej 2 përqind duhet që në pjesën e dytë të vitit ekonomia shqiptare të rritet mesatarisht 3 përqind.

Ministri i Financave megjithatë u shpreh optimist ndërsa deklaroi se “ekonomia ka nisur të rimëkëmbet dhe se reformat janë në drejtimin e duhur, se është përmirësuar besimi i e konsumatorit dhe klima e biznesit”. Ministri Cani tha se pas vlerësimit të auditit ndërkombëar të procesit të shlyerjes së detyrimeve të prapambetura, prej afër 260 milion dollarësh, deri në fund të viti do të shlyhet edhe shuma tjetër prej afër 90 milion dollarësh të tjerë sipas parashikimit.

Lidhur me buxhetin e vitit të ardhshëm zoti Cani deklaroi se ai “është i rakorduar deri në detaje me misionin e FMN-së” dhe se “synon t’i japi një tjetër shtysë rritjes ekonomike të qëndrueshme dhe punësimit në dy drejtime kryesore. Së pari, duke siguruar financim për investimet publike në një masë rreth 5.4% të PBB-së, nivel i përshtashëm ky për të mbështetur rritjen ekonomike. Së dyti, duke mbështetur konkretisht reformat e thella, që përballen me rreziqet që i kanosen ekonomisë”.

Drejtuesi i misionit të FMN-së u shpreh se “Misioni mbështet punën e autoriteteve për reformat strukturore dhe politikat dhe konsideron se kjo punë përbën bazën e besueshme për rimëkëmbjen e rritjes ekonomike dhe ruajtjen e stabilitetit makroekonomik dhe financiar”. Ai shpjegoi se gjatë bisedimeve me autoritetet shqiptare një vend të rëndësishëm kishte zënë situata e sektorit energjitik. “Nevojiten urgjentisht reforma në sektorin e energjisë elektrike, për t’i dhënë fund barrës fiskale të këtij sektori. Autoritetet kanë filluar të bëjnë hapat e parë të rëndësishëm në zbatimin e planit të tyre për reformimin e sektorit të energjisë elektrike, i hartuar në konsultim me Bankën Botërore. Ky plan përfshin kufizim të vjedhjeve të energjisë elektrike, propozime për të ristrukturuar tarifat brenda fundit të vitit 2014 (që do të zbatohet në tremujorin e parë të vitit 2015) dhe një reformë institucionale të ndërmarrjeve shtetërore që ushtrojnë aktivitet në këtë sektor. Stafi i FMN-së e mirëpret planin për t’u dhënë kompensim shtresave të varfra përmes një kompensimi në të holla të përcaktuar mire”, deklaroi zoti Ilahi.

Ai vlerësoi pozitivisht angazhimin e qeverisë shqiptare për të nisur, nga viti i ardhshëm, përpjekjet për uljen e borxhit publik nga 70.09 përqind në 70.06 përqind të Prodhimit të brendshëm bruto. “Pavarësisht shpenzimeve të konsiderueshme të lidhura me sektorin e energjisë elektrike, buxheti i vitit 2015 pritet të arrijë një zvogëlim të borxhit publik i shprehur si përqindje e PBB-së, për herë të parë që prej vitit 2010”, u shpreh drejtuesi i misionit të FMN-së.

XS
SM
MD
LG