Lidhje

Fondacioni Soros: Shqipëria ka bërë vetëm 20% të detyrave ndaj BE-së


Fondacioni Soros: Shqipëria ka bërë vetëm 20% të detyrave ndaj BE-së

Fondacioni Soros: Shqipëria ka bërë vetëm 20% të detyrave ndaj BE-së

Fondacioni “Shoqëria e Hapur për Shqipërinë” publikoi sot një raport me monitorimin e 10 nga 12 detyrat që Bashkimi Europian i ngarkoi Shqipërisë para se të marrë statusin e vendit kandidat. Studimi rekomandon ndryshimin e rregullores së parlamentit, pjesëmarrjen e opozitës në parlament, nisjen e reformës zgjedhore, emërimin e Avokatit të Popullit dhe emërime të tjera në Gjykatën e Lartë.

Drejtuesi i Fondacionit “Shoqëria e Hapur për Shqipërinë”, Andi Dobrushi, tha se deri këtë muaj ka patur pak arritje në zbatimin e masave të planifikuara për të përmbushur 12 detyrat e BE-së, kjo kryesisht për shkak të mospajtimeve dhe mungesës së konsensusit politik. “Në krahasim me një vit më parë, ritmi i reformave është ngadalësuar. Nga 102 masat e planifikuara për t’u zbatuar gjatë këtij viti, janë zbatuar në fakt vetëm 20 për qind e tyre, 76 për qind e tyre janë pjesërisht të zbatuara, dhe për 4 për qind puna nuk ka filluar ende” - tha ai ai.

Monitoruesit e studimit kanë vërejtur një nënvlerësim të përpjekjeve për konsensus politik, nga i cili varet suksesi i pikave kryesore të paketës europiane. “Për prioritetet një dhe dy mbi funksionimin e parlamentit, nevojiten në mënyrë urgjente më shumë përpjekje dhe më shumë masa. Rekomandohet nga grupi i punës se partitë politike dhe administrata e Kuvendit duhet të koordinojnë së bashku përditësimin e planit të ri të veprimit për vitin e ardhshëm. Rishikimi i këtij plani duhet të bëhet në formë konsensuale” - tha Adela Halo, në emër të autorëve të studimit.

Zëvendësministri i integrimit, Edmond Hoxha, tha se qeveria po bashkëpunon me të gjithë faktorët politikë dhe qytetarë për të arritur maksimumin në përmbushjen e detyrave. Temë kryesore mbetet tensoniet ndërpartiake. “Siç del edhe nga ky monitorim, vendin kryesor e zë kriteri politik, i cili kërkon vëmendje më të madhe nga të gjitha palët. Besoj se shenja të dialogut politik janë dhënë dhe qeveria shqiptare do të bëjë maksimumin që ta shtyjë përpara këtë proces të dialogut deri në arritjen e një konsensusi të plotë për integrimin” - tha ai.

Deputetja e Partisë Socialiste të opozitës, Ermelinda Meksi, tha se asnjë arritje nuk është shënuar në jetën parlamentare, asnjë rezultat edhe në zgjidhjen e çështjes së pronave, me të cilën lidhen kushtetuta, të drejtat njerëzore dhe investimet e ardhshme. Sipas saj, edhe rezultatet në luftën kundër korrupsionit janë minimale. “Shumë pak arritje, 13 për qind, ka në njërën nga çështjet më të rëndësishme që është object debati për zhvillimin e vendit. Kjo është çështja e korrupsionit. Është vetëm 13 për qind realizimi i rekomandimit 8 të BE-së për antikorrupsionin” - tha ajo.

Ecuria e Shqipërisë në rrugën drejt Bashkimit Europian ka marrë kritika për shkak të mungesës së mirëkuptimit politik mes partive kryesore. Shumë nga 12 pikat e Bashkimit Europian varen drejtpërdrejt nga votimi i përbashkët me 84 vota i një sërë ligjesh në parlament.

XS
SM
MD
LG