Lidhje

Fondi shqiptaro-amerikan i sipërmarrjeve festoi 15 vjetorin


Fondi jofitimprurës u çel në vitin 1998 me nismën e ish-presidentit Bill Klinton dhe deri tani ka investuar mbi 111 milion dollarë.

Fondi Shqiptaro-amerikan i sipërmarrjeve shënoi me ceremoni të veçantë në Tiranë 15 vjetorin e themelimit, si një mbështetje e rëndësishme për nismat e biznseve të reja vendase. Fondi jofitimprurës u çel në vitin 1998 me nismën e ish-presidentit Bill Klinton dhe gjatë gjithë këtyre viteve investoi në forcimin e 44 bizneseve shqiptare dhe mori pjesë në 77 investime të ndryshme me mbi 111 milionë dollarë amerikanë.

Drejtuesi i Fondit shqiptaro-amerikan të sipërmarrjeve dhe i fondacionit të zhvillimit, Majkëll Granoff, tha se gjithmonë ka patur mbështetjen e qeverive shqiptare për projektet e ndryshme, ku është përfshirë si në sektorin bankar, apo në atë të sigurimeve. “Në projektet ku merr pjesë, - tha zoti Granof, - fondi ka siguruar një transparencë maksimale dhe standartet më të mira të drejtimin e kompanive, duke i ngritur ato në një nivel të ri”.

Në ceremoninë e përvjetorit të Fondit përshëndeti presidenti Bujar Nishani. “Ju i mbështetët firmat shqiptarët dhe investimet e huaja në një vend të sapodalë nga një periudhë e gjatë diktature, kur prona private ishte një tabu, por edhe dënohej me ligj” - tha zoti Nishani.

Ndërsa kryeministri Edi Rama theksoi se Fondi është një partner i pandarë në zhvillimin e Shqipërisë dhe në rritjen e cilësisë së jetës së qytetarëve. “Unë dëshiroj që të shpreh edhe këtu, sot, vullnetin e qeverisë sonë për t’iu bashkuar rrugëtimit të këtij Fondacioni dhe për të sjellë në jetë shumë projekte të tjerë, ku ne dëshirojmë të bëhemi pjesë, për të promovuar cilësinë dhe përmes cilësisë një transformim rrënjësor, në radhë të parë të raporteve mes qytetarëve dhe mjedisit ku ata jetojnë në komunitetin e tyre” - tha ai.

Fondi shqiptaro-amerikan i sipërmarrjeve ka hapur mbi 5 mijë vende pune në Shqipëri, duke kryer 77 investime me rreth 111 milionë dollarë në 40 kompani shqiptare, dhe duke i shtuar 1.2 miliardë dollarë GDP-së nga prodhimi i këtyre kompanive.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG