Lidhje

Nderohen shkencëtarët e ushqimeve gjenetikisht të modifikuara


Tre shkencëtarë të produkteve të ndryshuara gjenetikisht fitojnë çmim prestigjoz, pak javë pas protestave kundër këtyre prodhimeve

Fondacioni për Çmimin Botëror të Ushqimit njoftoi se çmimi i tij prestigjioz këtë vit u fitua nga tre shkencëtarë të cilët ndihmuan në përparimin e zhvillimit të prodhimeve bujqësore gjenetikisht të modifikuara. Ky njoftim në Uashington vjen vetëm disa javë pasi protestues në mbarë botën demonstruan kundër ushqimit gjenetikisht të modifikuar.

Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry tha se Shtetet e Bashkuara e mbështesin përdorimin e bioteknologjisë për të zhvilluar prodhimet e ashtu-quajtura "të zgjuara" që mund të përballojnë thatësirën dhe përmbytjet dhe që kanë nevojë për më pak plehërim.


"Kështu kursejmë para, ruajmë mjedisin, dhe shpëtojmë jetë. Është një cikël i frytshëm. Dhe nëpërmjet novacioneve, ne besojmë se mund të ndihmojmë në uljen e nivelit të urisë dhe të kequshqyerit sot, por gjithashtu, në këtë mënyrë ne shpresojmë të përmbushim përgjegjësitë tona për të ardhmen."


Zoti Kerry foli në ceremoninë gjatë të cilës drejtori i Fondacionit për Çmimin Botëror të Ushqimit, ish-ambasadori amerikan në Kamboxhia Kenneth Quinn, njoftoi se shkencëtari belg Marc Van Montagu dhe ata amerikanë Robert Fraley dhe Mary-Dell Chilton janë nderuar me këtë çmim prestigjoz për arritjet novatore në fushën e bioteknologjisë bujqësore.


"Puna e tyre çoi në zhvillimin e një sërë prodhimesh bujqësore të modifikuara biologjikisht dhe gjenetikisht që tani kultivohen në rreth 170 milionë hektarë tokë nga mbi 17 milionë fermerë në mbarë botën. Mbi 90 për qind e tyre janë fermerë të varfër, me burime të pakta në vendet në zhvillim. Tani jemi në gjendje të kultivojmë produkte me rendiment të përmirësuar, rezistente ndaj insekteve dhe sëmundjeve, si dhe ndaj ndryshimeve ekstreme të klimës."

Shtetet e Bashkuara janë prodhuesi dhe konsumatori më i madh në botë i ushqimeve të modifikuara gjenetikisht, dhe kompania me bazë në SHBA Monsanto është prodhuesi më i madh në botë i këtyre kulturave. Kompania ka krijuar produkte që mund të zhvillohen në disa prej klimave më të këqija në botë dhe që mund të mbrojnë veten nga sëmundjet dhe insektet e dëmshme. SHBA-ja i ka promovuar këto bimë, si një zgjidhje për të lehtësuar problemin e urisë në botë. Por shumë vende i shmangin bimët gjenetikisht të modifikuara për shkak të shqetësimeve për efekte dëmtuese afatgjata.

Muajin e kaluar, aktivistë të mjedisit dhe grupe të sigurisë së ushqimit organizuan një protestë globale kundër ushqimit të modifikuar gjenetikisht. Protestuesit në qytetin jugor të Knoxville, të shtetit Tenesi kërkuan etiketimin e këtyre produkteve ushqimore.

"I duhet treguar njerëzve se çfarë ka në ushqimin e tyre. Ata duhet ta dinë nëse ka prodhime të modifikuara gjenetikisht në ushqimin e tyre apo jo."

"Korporatat në bashkëpunim me qeverinë tonë shpesh nuk marrin vendimet më të drejta për shëndetin afatgjatë të fëmijëve tanë."


Përkrahësit e prodhimeve bujqësore të ndryshuara gjenetikisht argumentojnë se nuk ka asnjë provë shkencore për të vërtetuar që këto produkte mund të shkaktojnë ndonjë dëm, ndërsa popullsia në rritje e botës po rrit vazhdimisht kërkesën globale për ushqim.

XS
SM
MD
LG