Lidhje

Bill Gates kryeson listën e miliarderëve


Revista “Forbes” botoi listën e miliarderëve të botës, e cila këtë vit është pak më e shkurtër se vitin e kaluar.

Lista kryesohet nga themeluesi i kompanisë “Microsoft”, Bill Gates, pasuria e të cilit në mesin e shkurtit kishte vlerën neto prej 75 miliardë dollarësh.

Në vend të dytë është spanjolli Amancio Ortega, me pasurinë me vlerën e 67 miliardë dollarëve. Ai e ka vënë pasurinë me biznesin e tij në industrinë e veshjeve; Ortega është edhe themeluesi i firmës Zara, që ka dyqane në vende të ndryshme të botës.

Investitori amerikan Warren Buffet është i treti në listën e më të pasurve të botës, me një pasuri me vlerën neto 60.8 miliardë dollarë.

Gruaja më e pasur e botës është Liliane Bettencourt, themeluesja e kompanisë së prodhimeve kozmetike L’Oreal. Ajo ka 36,1 miliardë dollarë.

Miliarderët janë ndarë edhe sipas moshës. Miliarderi më i ri është investitorja norvegjeze Alexandra Andresen, e cila në moshën 19-vjeçare ka 1,2 miliardë dollarë. Në mesin e 1,810 më të pasurve të botës ajo është në vendin e 1,476.

Ndërsa miliarderi më i vjetër është David Rockefeller Sr., që e ka vënë pasurinë me biznesin e tij me naftën dhe bankat. Në moshën 100 vjeçare ai ka një pasuri me vlerën e 3 miliardë dollarëve dhe renditet në vendin 569 në listë.

Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të jenë vendi me numrin më të madh të miliarderëve, 540 të tillë.

Kina renditet në vend të dytë, me 251 miliarderë.

Invesitori amerikan në fushën e pasurive të patundshme Donald Trump, një figurë dominante në politikën amerikane të këtij viti, si pjesëmarrës i rëndësishëm në garën presidencaile, është në vendin 324 të listës së personave më të pasur të botës. Sipas revistës Forbes ai ka një pasuri me vlerën neto 4,5 miliardë dollarë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG