Lidhje

Forcat besnike të Gadafit bombardojnë pozicionet e rebelëve

  • Zëri Amerikës

Forcat besnike të Gadafit bombardojnë pozicionet e rebelëve

Forcat besnike të Gadafit bombardojnë pozicionet e rebelëve

Forcat besnike të udhëheqësit libian, Moamar Gadafi bombarduan pozicionet e rebelëve, duke mbrojtur kështu për të dytën ditë me radhë një qytet strategjik në lindje të vendit.

Luftime të ashpra vazhduan dje për kontrollin e qytetit Ras Lanuf, ku ndodhet një rafineri e madhe nafte. Një ditë më parë, luftëtarët anti-Gadafit u tërhoqën në këtë qytet bregdetar nga qyteti aty pranë Bin Javad, pas një kundër ofensive të forcave qeveritare, të cilat përpiqeshin të parandalonin përparimin e rebelëve drejt kryeqytetit Tripoli.

Ish oficerë të ushtrisë përgatitën vullnetarë civilë për të luftuar kundër trupave qeveritare.

''Ne na duhet të paguajmë një çmim për çlirimin tonë, edhe nëse kemi vetëm armë të lehta dhe të mesme. Kjo është toka jonë dhe është e rëndësishme që ta çlirojmë. Ne jemi në dijeni të rreziqeve që na presim dhe se çfarë armësh kanë ata. Shumica e armëve tona janë të lehta dhe shumica e luftëtarëve tanë janë civilë''.

Ish kryeministri libian Jadallah al-Talhi doli dje në televizionin shtetror dhe ftoi udhëheqësit e opozitës me bazë në Bengazi që të angazhohen, siç tha ai, në një "dialog kombëtar".

''Rreziqet me të cilat ndeshemi, nëse nuk e vëmë gjendjen nën kontroll, do të kërcënojnë pavarësinë, unitetin si dhe stabilitetin dhe burimet e vendit tonë. Situata tragjike që kemi krijuar për vete gjatë ditëve të fundit është ndërlikuar dhe do të ndërlikohet edhe më shumë, madje ka filluar të marrë përmasa rajonale dhe ndërkombëtare. Nëse nuk e zgjidhim situatën tani, populli i Libisë do të humbasë kontrollin dhe do t’ia dorëzojmë të ardhmen e Libisë të tjerëve''.

Anëtarë të këshillit qeverisës, i udhëhequr nga rebelët, në Bengazi hodhi poshtë ftesën për dialog, duke thënë se bisedimet e paqes nuk janë të mundura nëse zoti Gadafi nuk jep dorëheqjen.

Thuhet se luftimet kanë shkaktuar ndërprerjen e operacioneve të naftës në Ras Lanuf si dhe në portin më të madh të naftës aty pranë të Bregas, të cilat po funksiononin me kapacitet minimal.

Në perëndim të vendit, qyteti i rrethuar Zavijah, i cili kontrollohet nga rebelët, u përball për të katërtën ditë me radhë me sulme vdekjeprurëse.

XS
SM
MD
LG