Lidhje

Forcat politike nuk ndryshojnë qëndrim për 21 janarin


Forcat politike nuk ndryshojnë qëndrim për 21 janarin
Forcat politike nuk ndryshojnë qëndrim për 21 janarin

Forcat kryesore politike vazhduan sot në Tiranë shkëmbimin e akuzave të ndërsjellta lidhur me ngjarjet e dhunshme të 21 janarit. Kryeministri Sali Berisha deklaroi sot në mbledhjen e grupit parlamentar se sapo ka dështuar një grusht shteti, i cili i dha një goditje të rëndë procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Kryeministri Berisha tha se puçistët ushtruan një dhunë të egër ndaj forcave të rendit, por aventura të tilla nuk do të realizohen kurrë, sepse kushtetuta dhe institucionet e Shqipërisë janë të pacënueshme, sepse ajo është antare e NATO-s. Kryeministri Berisha tha se PD e respekton opozitën dhe Partinë Socialiste dhe është e gatshme për cdo dialog, ndërkohë që pucistët do të marrin dënimin e merituar. Ai e quajti të pamotivuar kërkesën e prokurorisë për të arrestuar drejtuesit kryesorë të Gardës Kombëtare.

“Ne kemi respektuar dhe do të respektojmë opozitën me vendosmëri të madhe, natyrisht jemi të hapur për çdo dialog, por kjo pasi puçistët të marrin ndëshkimin e merituar ligjor. Ne nuk konfondojmë një grup puçistësh me Partinë Socialiste. Mbetemi të palëkundur në vlerësimin e madh për socialistët që dënojnë dhunën, që nuk i lidh asgjë në projektin e tyre me një puç dhe që kanë ardhur me qindra herë, kanë protestuar dhe do protestojnë para dyerve të kryeministrisë pa u hyrë dhe një gjemb i vetëm në këmbë” - tha zoti Berisha. Ai tha se hetimi i ngjarjeve nga komisioni i posacëm parlamentar do të jetë transparent dhe i pavarur.

Ndërkaq opozita zhvilloi po ashtu një tjetër mbledhje të grupit të deputetëve socialistë. Sipas deputetit të PS Saimir Tahiri, në këtë mbledhje u vendos që t’i kërkohet Gjykatës Kushtetuese që të shpallë antikushtetues komisioni hetimor patlamentar që po funksionon vetëm me pjesëmarrjen e deputetëve të shumicës. Partia Socialiste njoftoi po ashtu rifillimin e protestave ditë e premte, për të kërkuar zgjedhje të parakohshme.

“Këtë të premte populli opozitar do të jetë përsëri në rrugët e protestët. Demonstrata e së premtes do të ketë një formë krejtësisht tjetër. Deputetët e Grupit parlamentar të Partisë Socialiste sapo firmosën kërkesën për shpalljen antikushtetues të komisionit hetimor të ngritur nga Saliu, për të penguar drejtësinë të bëjë drejtësi, duke dhunuar Presidentin e Republikës, Prokuroren e Përgjithshme, Drejtorin e Shërbimit Informativ dhe vetë opozitën. Ne nuk do të tërhiqemi asnjë milimetër pa u dorëzuar 6 komandantët e Gradës dhe pa rikthyer Policinë e Shtetit në kornizën e ligjit. Popullit shqiptar i ka lindur e drejta të mbrojë Kushtetutën dhe veten nga një grusht shteti brenda shtetit, të cilit ne do i kundërvëmë të gjithë fuqinë e rezistencës sonë paqësore” - tha zoti Tahiri.

XS
SM
MD
LG