Lidhje

Forcat pro-duhanit, ende të forta

  • Vidushi Sinha

Nëse nuk ndërmerren veprime urgjente, rreth një miliard njerëz do të vdesin mesatarisht 15 vjet para kohe në këtë shekull

Gjykata e Lartë e Australisë ka mbajtur në fuqi një ligj të ashpër që ndalon kompanitë e duhanit nga shfaqja e logove të tyre në paketat e cigareve. Bashkimi Evropian po shqyrton një ndalim të ngjashëm. Por ekspertët thonë se në përgjithësi përdorimi i duhanit ende favorizohet. Një studim i ri ndërkombëtar i kryera në 16 vende zbuloi se kontrolli i përdorimit të duhanit në disa vende është ende i dobët.

Një studim që përmblodhi të dhënat nga tri miliardë përdorues të duhanit në mbarë botën, tregon se pirja e duhanit në botë është ndikuar shumë nga lobi pro-duhanit. Studimi u përqëndrua në përdorimin e duhanit në 14 vende me të ardhura të ulëta dhe të mesme dhe në krahasime të bëra me dy vendet e zhvilluara - Shtetet e Bashkuara dhe Britani.

Dr Gary Giovino në Shkollën e Shëndetit Publik të Universitetit në Buffalo të shtetit Nju Jork, është autori kryesor i studimit.

"Duhani përbën një barrë të madhe në sistemin e kujdesit shëndetësor në vendet e zhvilluara. E njëjta gjë do të ndodhë në një të ardhme jo shumë të largët edhe në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme. Dhe tashmë ka filluar të vihet re në vende, si në Indi për shembull".

Të dhënat e studimit tregojnë se Kina kryeson me rreth 300 milionë përdorues të duhanit, e ndjekur nga India me pothuajse 275 milion. Studimi zbuloi forca të fuqishme pro-duhanit që janë tepër aktive madje që në nivelin e shkollës fillore.

"Kompania kombëtare e Duhanit në Kinë ka mbështetur dhjetra e dhjetra shkolla fillore. Dhe ata përdorin mbështetjen e tyre për të nxitur propagandën në lidhje me përdorimin e duhanit. Ata në thelb u thonë nxënësve se suksesi vjen nga puna e madhe dhe duhani i ndihmon ata të jenë të suksesshme. Duket e çuditëshme se si një qeveri u thotë fëmijëve të përdorin duhan për të qenë suksesshëm kur duhani i bën ata të varur nga nikotina dhe u shkurton jetën".

Të dhënat tregojnë se qeveritë dhe shoqëritë në shumë vende janë të hapura për t'u ndikuar nga forcat pro-duhanit.

Pra, vendimi i gjykatës australian shihet si i rëndësishëm në inkurajimin e atyre që luftojnë për të kontrolluar përdorimin e duhanit. Jonathan Liberman drejton Qendrën McCabe për Ligjin dhe kancerin në Australi.

"Ky vendim u tregon të gjithëve se e vetmja mënyrë për t'u marrë me industrinë e duhanin për t'iu përgjigjur kërcënimeve të tyre ligjore e pretendimeve të tjera është për t'iu drejtuar gjykatës. Vendimi është fantastik për shëndetin publik në Australi dhe në botë".

Studimi arrin në përfundimin se, nëse nuk ndërmerren veprime urgjente, rreth një miliard njerëz do të vdesin mesatarisht 15 vjet para kohe në këtë shekull. Dr Gary Giovino shpreson se të dhëna e studimit do të nxisin shumë vende për të zbatuar politika që do të shpëtojnë jetë.
XS
SM
MD
LG