Lidhje

Forcat qeveritare të Jemenit vrasin të paktën dy protestues

  • Festim Gashi

Forcat qeveritare të Jemenit vrasin të paktën dy protestues

Forcat qeveritare të Jemenit vrasin të paktën dy protestues

Forcat jemenase të sigurisë, hapën sot zjarr ndaj aktivistëve të opozitës në dy qytete kryesore, duke vrarë të paktën dy persona dhe duke plagosur dhjetra të tjerë në disa sulme vdekjeprurëse ndaj protestuesve. Burimet spitalore dhe banorët thanë se persona të armatosur, besnikë të Presidentit Ali Abdullah Saleh, qëlluan sot ndaj demonstruesve në qytetin qendror al-Bajda, nga çatia e një ndërtese, duke vrarë dy persona dhe duke plagosur 7 të tjerë. Sipas njoftimeve, trupat qeveritare qëlluan me armë demonstruesit në Taiz, qyteti kryesor industrial i vendit, i cili ka qenë i rrethuar nga forcat e sigurisë për disa ditë me radhë. Dje, forcat pro-presidentit Saleh, qëlluan me armë ndaj dhjetra mijëra demonstruesve anti-qeveritarë në kryeqytetin Sana dhe disa qytete të tjera, duke vrarë të paktën 12 persona. Departamenti amerikan i Shtetit tha sot se i bashkohet Bashkimit Evropian, duke e dënuar me forcë dhunën në Jemen. Zëdhënësi Mark Toner tha se Washingtoni i bën thirrje forcave të sigurisë të Jemenit “të ushtrojnë kontroll maksimal, duke u përmbajtur nga ushtrimi i dhunës dhe të respektojnë të drejtat e popullit jemenas për grumbullime paqësore.

XS
SM
MD
LG