Lidhje

Forcat ruse hyjnë me forcë në një bazë ajrore në Krime


Trupat pro-ruse hynë me forcë në një bazë ajrore ukrainase në Krime, duke hapur zjarr dhe duke shkatërruar portat dhe muret me autoblinda. Trupat hynë me forcë në bazën ajrore të Belbekut dhe nuk duket të kenë hasur rezistencë nga trupat ukrainase, disa prej të cilëve këndonin himnin ukrainas gjatë incidentit. Zyrtarët ukrainas të mbrojtjes thonë se të paktën një person u vra gjatë incidentit. Forcat ruse u kishin dhënë ultimatum forcave ukrainase që të dorëzoheshin.

Moska thotë se vëzhguesit e huaj nuk do të lejohen të hyjnë në Krime, por Shtetet e Bashkuara thonë se asnjë anëtar i komunitetit ndërkombëtar nuk do ta njohë Krimenë si pjesë të Rusisë.

Rusia tha sot se shpreson që misioni ndërkombëtar i monitorimit në Ukrainë të jetë i suksesshëm, por theksoi se vëzhguesit do të përjashtohen nga Krimea, për të cilën Moska thotë se është bërë "pjesë e Rusisë". Ministria u bëri thirrje monitoruesve të OSBE-së t'i japin fund asaj që Moska quajti "banditizëm i shfrenuar nacionalist" dhe "tendenca ultra-radikale" në Ukrainë.

Rusia dhe OSBE-ja ranë dakord të premten për dërgimin e vëzhguesve civilë në Ukrainë. OSBE-ja, e cila funksionon me konsensus, thotë se rreth 500 vëzhgues do të mbledhin informacion mbi gjendjen e sigurisë në Ukrainë, duke përfshirë të drejtat e njeriut.

Shtetet e Bashkuara thonë se OSBE-ja ka mandat për të punuar në të gjithë Ukrainën, duke përfshirë Krimenë.

Presidenti rus Vladimir Putin nënshkroi një ligj te premten, që përfundon procesin e aneksimit të Krimesë. Ligji njeh miratimin parlamentar të një referendumi të banorëve të Krimesë për t’u shkëputur nga Ukraina.

Por SHBA-ja thotë se asnjë anëtar i komunitetit ndërkombëtar nuk do ta njohë
Krimenë si pjesë të Rusisë.

Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë thonë se situata në Ukrainë do të jetë "në krye dhe në qendër" të udhëtimit të presidentit Barak Obama në Evropë javën e ardhshme. Këshilltarja për Sigurinë Kombëtare Susan Rice u tha dje gazetarëve se tema kryesore e udhëtimit të Presidentit do të jetë stabiliteti dhe forca bazë e partneriteteve dhe aleancave të SHBA-së, duke përfshirë NATO-n , Bashkimin Evropian dhe G7-ën.

"Ne jemi që tani mjaft të koordinuar me partnerët tanë evropianë. Natyrisht takimi i G7-ës do të jetë një mundësi për të thelluar dhe për të vazhduar këtë koordinim, sikundër do të kemi mundësi të flasim për mënyrën se si të rrisim mbështetjen tonë të përbashkët për popullin dhe qeverinë e Ukrainës si dhe të konsiderojmë mënyrat më të mira për funksionimin në vazhdim të mekanizmave të G8/G7 duke pasur parasysh zhvillimevet e fundit."

Zonja Rice tha se për shkak të pushtimit rus të Krimesë, bota do të shohë qartë se Moska është gjithnjë e më e izoluar.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG