Lidhje

Forcat siriane vazhdojnë sulmet në Homs


Armëpushimi gati një javor ka vazhduar të përkeqësohet në Siri ku shpërthimet vranë gjashtë oficerë sirianë të rendit dhe ndërsa forcat qeveritare rinisën bombardimet në Homs. Agjencia shtetërore e lajmeve SANA tha se një "grup i armatosur terrorist" aktivizoi një mjet shpërthyes në një rrugë në provincën veriore Idlib. Agjencia tha gjithashtu se një snajper vrau një oficer të policisë në qytetin jugor të Daraas.

Forcat e qeverisë siriane po vazhdojnë sulmin ndaj lagjeve të mbajtura nga rebelët në qytetin e Homsit ku nisën përleshjet, pavarësisht armëpushimit gati një javor.

Grupi me bazë në Britani, Vëzhguesit Sirianë për të Drejtat e Njeriut tha se trupat besnikë të Presidentit Bashar al-Asad rifilluan bombardimet në Homs sot, të mbështetur nga artileria.

Udhëheqësit ndërkombëtarë shprehën shqetësim për njoftimet e vazhdimit të dhunës.

"Lajmet e fundit (nga Siria) justifikojnë shqetësimet tona në lidhje me zbatimin e armëpushimit. Sipas planit të zotit Anan, qeveria siriane duhet të tërheqë trupat nga zonat e populluara, të ndalë dërgimin e armëve të rënda, dhe të tërheqë forcat e saj të sigurisë nga zonat urbane. Edhe pse qeveria sirian thotë se ka zbatuar planin, për fat të keq sulmet ndaj civilëve dhe aktivistëve vazhdojnë. "

Në Pekin, ministri i jashtëm i Sirisë u zotua të respektojë planin e paqes të të dërguarit të OKB-së dhe Lidhjes Arabe, Kofi Ananit dhe të bashkëpunojë me një ekip që Kombet e Bashkuara kanë dërguar për të vëzhguar armëpushimin e brishtë.

Walid Muallem tha gjithashtu se Damasku mbetet i angazhuar për zbatimin e armëpushimit, tërheqjen e trupave dhe bashkëpunimin me vëzhguesit e OKB-së.

Kreu i ekipit të vëzhguesve të paarmatosur të OKB-së tha se do të duhet kohë për të arritur zonat më të goditura.

Në Paris, Ministri i Jashtëm francez Alain Juppe tha se sanksionet ekonomike ndërkombëtare i kanë kushtuar qeverisë së zotit Asad gjysmës e rezervave të saj financiare.

"Ne e dimë se autoritetet siriane, rezervat financiare të të cilëve janë përgjysmuar sipas informacioneve tona, kanë vazhduar të kërkojnë aktivisht mënyra alternative për të shmangur sanksionet. Disa vende kanë treguar qartë mbështetjen e tyre për regjimin sirian. Të tjerët pak a shumë kanë ofruar marrëveshje alternative. Ne duhet t’i përgjigjemi këtyre manovrave. "

Zoti Juppe nuk përmendi emra, por një diplomat i lartë francez tha se Rusia është duke furnizuar me armë dhe ndihma të tjera regjimin Asad.

Diplomati tha gjithashtu se Libani, Jordania dhe Iraku janë ende duke tregëtuar me Sirinë.

XS
SM
MD
LG