Lidhje

Ford dhe e ardhmja e industrisë së makinave


Kompanitë amerikane të makinave po përpiqen të kuptojnë se si t’i përshtaten ritmeve të shpejta të ndryshimeve ndërsa popullsia amerikane plaket, teknologjia përmirësohet dhe evoluojnë kërkesat e konsumatorëve. Kjo pasiguri për të ardhmen rrezikon miliarda dollarë dhe mijëra vende pune ndërsa drejtuesit e auto-industrisë shqyrtojnë se çfarë produktesh të krijojnë dhe si t’i ndërtojnë dhe menaxhojnë ato. Kompania FORD ka punësuar një “futuriste” për të hartuar një imazh të qartë rreth atyre që pritet të sjellë e ardhmja.

Vizatimet e ndihmojnë specialisten Sheryl Connelly me firmën FORD që të analizojë shumë të dhëna që mund t’i japin formë të ardhmes së tregut të transportit.

“Më ndihmon të filtroj të dhënat dhe përpiqem të shoh nëse mund të dal me ndonjë gjë të re. Këto skica i vizatoj për veten time.”

Ajo bën ilustrime, mban shënime dhe shkon përtej industrisë së makinave ndërsa është kureshtare rrreth botës gjithnjë e më të ndërlidhur, klasës së mesme në rritje në vendet në zhvillim, pritjeve se teknologjia do ta përmirësojë jetën dhe shqetësimeve për mjedisin.

Hulumtuesit thonë se mes disa ideve janë edhe ndërtimi i pjesëve plastike për makinat nga kashta e grurit, pemët, soja apo dioksidi i karbonit, para se të çlirohet në atmosferë dhe shumë gjëra të tjera në vend të nënprodukteve tradicionale të naftës. Ka raste kur ata prodhojnë makina që harxhojnë më pak dhe pjesë këmbimi më të lehta. Alper Kiziltas është me firmën FORD.

“Po provojmë materiale të ndryshme me bazë të ripërtëritshme për të rritur lëndën e parë të padëmshme për mjedisin”.

Zonja Connelly thotë se ndër sfidat kryesore për prodhuesit e makinave janë modelet që harxhojnë sa më pak karburant dhe që ndërtohen me material të riciklueshëm.

“Me rritjen e popullsisë globale, kërkohet një mendësi e re për konsumin dhe mirëqënien. Prandaj në punën tonë po udhëhiqemi nga koncepti i tregut që ofron shërbim dhe mallra me kosto të përballueshme për këdo, pasi edhe ai që mund të blejë makinë ka nevojë për transport”.

FORD dhe kompani të tjera po punojnë për të ofruar shërbime transporti sa më të padëmshme për mjedisin që mund të kontrollohen përmes një programi në telefonat inteligjent.

Një makinë private që ofron edhe shërbime taksie është një ide që po gjen popullaritet tek ata njerëz që preferojnë të paguajnë për shërbimin që ofron makina, në vend që të blejnë një makinë që kërkon riparime, furnizim me karburant dhe sjell kokëçarjet e parkimit. Makinat që mund të përdoren nga të gjithë mund të jenë një alternativë me kosto më të ulët për tregjet në zhvillim dhe më efikase për vendet e pasura me popullsi të madhe.

Disa ekspertë parashikojnë se makina të tilla pa shoferë dhe ndryshime të tjera mund të çojnë në përdorim më efikas të makinave dhe të ulin kërkesat për automjete.

Zonja Connelly thotë se shqetësime të tilla i bëjnë disa në industrinë e makinave dhe sektorë të tjerë që të druhen nga e ardhmja sepse është më e lehtë të imagjonosh anët negative që mund të sjellë e panjohura, sesa ato pozitive.

XS
SM
MD
LG