Lidhje

Rreziku i luftëtarëve të huaj

  • Al Pessin

Ndërsa qeveritë perëndimore përpiqen të gjejnë mënyra për të mos lejuar qytetarët e tyre të bashkohen me grupin Shteti Islamik dhe organizata të tjera radikale, dhe të kthehen në vendet e tyre për të kryer sulme terroriste, ekspertët po mundohen të kuptojnë motivimet dhe çfarë kanë të përbashkët këta njerëz.

Luftëtarët e grupit që e quan veten Shteti Islamik shfaqen duke bërë stërvitje në një video rekrutimi, shoqëruar me muzikë frymëzuese dhe lëvizje të koreografuara. Për disa myslimanë në vende perëndimore, imazhet mund të ofrojnë një kauzë së cilës ata mund t’i bashkohen, një botë e re ku ata mund të ndjehen në një mënyrë që nuk ndjehen në vendet e tyre. Është një ndjesi që komunitetet myslimane dhe qeveritë perëndimore duhet të punojnë së bashku për ta luftuar, sipas Omar el-Hamdounit, president i Shoqatës Myslimane të Britanisë.

“Duhet luajtur një rol i rëndësishëm për të trajtuar çështjet me të cilat përballet shoqëria, droga, kriminaliteti etj. Dhe autoritetet duhet të luajnë rol duke mos i bërë myslimanët të ndjehen të përjashtuar”.

Kjo ndjesi përjashtimi krijon një terren të përshtatshëm për rekrutuesit esktremistë, thotë psikologia dhe ekspertja e konflikteve, Gabrielle Rifkind e Grupit të Studimeve të Oksfordit.

“Ata u ushqejnë njerëzve një lloj utopie dhe vizioni për të ardhmen. Por pasi shkojnë atje, njerëzit do të tmerrohen nga ajo që shohin”.

Ekspertët thonë se shumë pak të rinj myslimanë që shkojnë të luftojnë me grupin Shteti Islamik janë radikalë të vërtetë ideologjikë. Shanset më të mëdha janë që ata shtyhet të shkojnë atje nga përjashtimi që ndjejnë dhe nga një kërkim rinor për identitet dhe domethënie. Ja ç’thotë ekspertja e terrorizmit Brooke Rogers e Kolegjit King të Londrës.

“Ata pyesin veten: Çfarë do të thotë të jesh mysliman? Prandaj ata shkojnë për të gjetur përgjigje. Ka shumë grupe që me shumë dëshirë do t’i jepnin këto përgjigje. Dhe ne duhet të jemi më aktivë që t’i japim ne këto përgjigje”.

Por kjo është një strategji afatgjatë.

Udhëheqësit perëndimorë janë të shqetësuar për rrezikun afatshkurtër, ndërsa mijëra luftëtarë ekstremistë me pasaporta amerikane apo evropiane mund të kthehen në Perëndim dhe të kryejnë sulme terroriste. Edhe një numër i vogël njerëzish mund të shkaktojë dëme serioze.

Por Gabrielle Rifkind thotë se luftëtarët që kthehen mund të krijojnë edhe një mundësi.

“Nuk duhet t’i demonizojmë, por t’i ndihmojmë që të gjejnë një rrugë për t’u riintegruar në vendet e tyre. Ne mund të punojmë me këta njerëz, t’i mbështesim që të rihyjnë në komunitete, por ata gjithashtu mund të identifikojnë personat që përbëjnë vërtet rrezik”.

Dhe në fakt eskpertët thonë se dhuna esktreme e Shtetit Islamik mund të dëmtojë përpjekjet e tyre për rekrutim.

“Mendoj se jemi në një pikë kyçe në këtë moment, pasi nëse ata i kthehen dhunës dhe akteve ekstreme që po shohim në televizion dhe gazeta, ata do të humbin mundësinë që komuniteti t’i mbështesë”.

Kjo nuk përbën ndonjë garanci, por jep shpresë për perëndimorët e shqetësuar për sfidat që paraqet lufta kundër tërheqjes së mitit të një botë të re të udhëhequr nga myslimanët, për disa nga këta të rinj.

XS
SM
MD
LG